Apeli i GJKKO ka prishur vendimin e shkallës së parë në lidhje me dënimet që ka dhënë për Erjon Kasmin dhe Xhuljan Xhafën, pasi akuzohen se u kanë shkaktuar 7 mln euro dëm shtetasve gjermanë përmes mashtrimeve me Call Center.
Sipas Apelit, çështja do të kthehet për rigjykim në Shkallën e Parë me një trupë tjetër gjykuese. Kujtojmë se Gjykata e Posaçme dënoi me 11 vite burg Kasmin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 7 vite e 4 muaj.
Ndërkohë Xhafa ishte dënuar me 10 vite burg në total, por do të vuajë vetëm 6 vite e 8 muaj burgim, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Nertina Kosova (anëtare), më datë 23.04.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 13 akti, datë 20.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe ankimeve të ankuesve/të pandehurve E.K. dhe Xh.Xh., kundër vendimit nr. 43, datë 08.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Prishjen e vendimit nr. 43, datë 08.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar dërgimin e akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.