Akuzohen për korrupsion, GJKKO lë në burg dy zyrtarët e Rrugores

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg shefin e Rrugores në Tiranë, Roven Zeka dhe shefin e aksidenteve, Sokol Novaku.

Dy zyrtarët e policisë u arrestuan të shtunën me urdhër të SPAK, pasi akuzohen për korrupsion, së bashku me oficerin e policisë gjyqësore, Edison Tabaku, edhe ky i arrestuar për të njëjtën çështje. Të tre akuzohen për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Tabaku, Zeka dhe Novaku dyshohet se kanë marrë ryshfet në lidhje me një aksident të regjistruar më 16 Prill në Tiranë, ku automjeti që drejtohej nga Anisa Vrioni është përplasur me një automjet tjetër ku udhëtonin 5 persona, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital.

“Në datën 16 prill 2025, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin. Si pasojë e aksidentit, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, (parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.)

Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.

Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë.  Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit”- thuhej në njoftimin e SPAK.