Helme nga të gjitha anët/ Përveç mishit, luleshtrydheve dhe qumështit, shqiptarët konsumuan sheqer palme të kontaminuar

Shqiptarët vijojnë të konsumojnë ushqime problematike dhe të rrezikshme për shëndetin e tyre.

Në tregun tonë rezulton të jetë shitur sheqer palme i kontaminuar me praninë e alergenit dioksid squfuri mbi nivelin maksimal të lejuar.

Kjo gjë sipas ekspertëve përbën risk serioz për shëndetin e njeriut.

Njoftimi është bërë nga sistemi evropian RASFF (Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin) me datë 10 prill. Produkti tregohet me emrin Palmsugar slices TD bg 200g.

Ky produkt është prodhuar në Tajlandë dhe në Shqipëri ka ardhur pasi është importuar nga Holanda nga një kompani emri i të cilës nuk bëhet i ditur nga AKU.

Pas kontrolleve të kryera, rezulton se sasia e sheqerit prej 24 kilogramë është shitur e gjitha.

Me marrjen e njoftimit nga sistemi RASFF me datë 10.04.2025, AKU ka kryer verifikimet në terren, nga ku ka rezultuar se produkti me origjinë nga Tajlanda, është importuar nga Holanda me datë 22.12.2024 në sasinë 24kg. Nga verifikimi i gjurmueshmërisë rezulton se subjekti nuk e kishte gjendje këtë produkt. AKU ka bërë njoftimin përkatës pranë kategorisë së Njoftimeve RASFF“, thuhet në njoftimin e publikuar nga AKU.

Ky nuk është rast i izoluar. Gjatë vitit të shkuar si dhe muajt e parë të 2025 ka rezultuar se shqiptarët kanë konsumuar manderina me pesticide, mish pule me salmonelë dhe së fundmi luleshtrydhe dhe sheqer palme të kontaminuar.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Ministria e Bujqësisë shpeshherë kanë mbajtur qëndrime indiferente ndaj skandaleve të tilla, që rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe jetën tonë.