Mashtronte qytetarët për kontrata pune jashtë vendit, arrestohet 41 vjeçari nga Kosova

Një 41 vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi mashtronte qytetarët për kontrata pune jashtë vendit në këmbim të parave. Kanë qenë disa qytetarë që kanë bërë kallëzim në lidhje me mashtrimet e qytetarëve, që u kërkonte deri në 1500 euro.

Gjatë muajit prill 2025, ky shtetas, nëpërmjet kësaj mënyre mashtrimi, iu ka marrë para, 3 shtetasve. Ndërkohë vijon puna për identifikimin e personave të tjerë me të cilët ai mund të ketë bashkëpunuar.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet pas 3 muajsh hetime mbi kallëzimet e disa qytetarëve, për mashtrim, operacioni policor i koduar “Premtimi”.

Kërkonte 1000-1500 euro, pasi ofronte kontrata pune në shtete të ndryshme, nëpërmjet mashtrimit, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.

Dokumentohen 3 raste të marrjes së shumave të parave me anë të mashtrimit, gjatë muajit prill.

Si rezultat i hetimeve të kryera gjatë 3 muajve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë, mbi kallëzimet e bëra nga disa shtetas, për mashtrim me kontratat e punës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Premtimi”. Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi kosovar:

H. B., 41 vjeç, banues në Kosovë.

Nga hetimet ka rezultuar se 41-vjeçari premtonte kontrata pune në shtete të ndryshme, kundrejt pagesës që varionte nga 1000 deri në 1500 euro, nëpërmjet mashtrimit. Gjatë muajit prill 2025, ky shtetas, nëpërmjet kësaj mënyre mashtrimi, iu ka marrë para, 3 shtetasve.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit nga ky shtetas dhe për identifikimin e shtetasve me të cilët ai mund të ketë bashkëpunuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.