Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka shpërthyer ndaj ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, pasi ky i fundit e akuzoi se po kërkon të mbyllë RTSH-në.
Shehaj thotë se Gëllçi është dënuar për shpërdorim fondesh te RTSH-ja, por merr guximin dhe gënjen qytetarët duke akuzuar kreun e Mundësisë se kërkon të mbyllë televizionin kombëtar, kur deklarata e tij ka qenë komplet ndryshe.
Ai thotë se ka deklaruar vetëm që fondet e RTSH-së të shkurtohen në 5 milionë euro nga 30 milionë euro që financohet aktualisht, pasi janë mëse të mjaftueshme për një audiencë shumë të vogël si ajo e RTSH-së.
“Sapo takova një gazetar që më tha: ‘Agron, unë jam dakort që fondet e RTSH-së të ulen, por nuk jam dakort që RTSH-ja të mbyllet’.
Por unë nuk e kam thënë kurrë që RTSH-ja duhet të mbyllet. Kam thënë thjesht që fondet e RTSH-së duhet të kalojnë nga 30 milionë euro në 5 milionë euro dhe të kursejmë 25 milionë euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Por një grup gazetarësh, analistësh, kanë gënjyer haptas duke thënë se unë paskam dashur të mbyll RTSH-në. Dhe në krye të tyre është ish-drejtori i RTSH-së, i cili është dënuar për mungesë barazie në tenderat e RTSH-së, praktikisht ka shpërdoruar, mos të themi vjedhur, fondet e RTSH-së.
Ky akuzon dhe gënjen qytetarët shqiptarë duke thënë se unë paskam dashur të mbyll RTSH-në. E vërteta është që paratë e qytetarëve duhet të mos shpërdorohen. Për ata 5 milionë mund të duke thërrime sepse ata nuk e dinë si fitohen paratë. 5 milionë euro janë mëse të mjaftueshme për një audiencë prej 0 pikë pak përqind sa ka RTSH-ja. Mjaft me gënjeshtra, mjaft me mashtrime.”