Shqipëria hap grupkapitullin e tretë/ Zyrtarët e BE ia thonë të vërteten në sy Ramës: Anëtarësimi, bazohet mbi reforma

Shipëria hapi të hënë grupkapitullin e tretë me Bashkimin Europian, në kuadër të vijimit të negociatave me vendet e unionit.

Bëhet fjalë për grupkapitullin që lidhet me “Tregun e Brendshëm”, i treti në total që nga hapja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në konferencën e katërt qeveritare, e cila u zhvillua në Luksemburg, mori pjesë edhe kryeministri i vendit Edi Rama. Ai mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos dhe Radosław Sikorsi, Ministër i Punëve të Jashtme i Polonisë.

Kryeministri Edi Rama vijon t’i qëndrojë besnik deklaratave për vitin 2027, sipas të cilit, Shqipëria do arrijë të çelë të gjithë grupkapitujt.

“Më lejoni të theksoj që së bashku me komisionin dhe udhëheqjen e Martës kemi rënë dakord për një axhendë mjaft ambicioneze. Presim me padurim që brenda 2027 të gjithë grupkapitujt të jenë celur. Jemi këtu për të rikonfirmuar vendosmërinë tonë për të arritur këtë objektiv. Jam i sigurtë, për Shqipërinë BE është shumë më tepër se një ambice politike apo ekonomike, është zgjedhje ekzistenciale jete. E dimë dhe kemi mësuar se liritë tona individuale barazia para ligjit, nuk mund të garantohet askund tjetër vecse brenda BE. Faleminderit shumë, e di që kë shumë punë për të bërë dhe keni qenë tejet i dedikuar ndaj kësaj pjese. Faleminderit Marta që na dhe besim, na ke shtyrë pa hezitim”, tha ai.

Por, zyrtarët europianë i kujtuan kryeministrit Rama se afrimi në BE nuk është thjesht një dëshirë, por duhet punë konkrete në zotimet e marra.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos u shpreh se Shqipëria duhet të vijojë t’i zbatojë refomat, duke theksuar se do të jetë “avokate” e vendit tonë.

“Integrimi për mua është më shumë se sa ti shtosh BE një vend, ajo ka të bëjë me bashkimin e Europës. Jemi brezi i 2004-ës, kështu që mund të themi se cilat janë përfitimet e vendeve tona në fakt është diçka e bukur për t’u parë sepse ne vetë mund ta shpjegojmë se ishte kur aplikuam dhe se si është 20 vjet më vonë. Është gjë e mirë edhe për qytetarët e shqiptarë, është rezultat i vendosmërisë së autoriteteve për të realizuar reformat përgjatë shumë viteve, është arritja e shumë nënpunës civilë që punojnë çdo ditë për procesin e zgjerimit. Thirrja ime për veprim është që të kremtojmë çdo hap të vogël të hedhur, do donim të çelnim të gjithë kapitujt këtë vit dhe nga viti tjetër t’i nisim t’i mbyllim. Nëse Shqipëria realizon reformat, do jem avokatja juaj më e mirë në Bruksel dhe tek të gjitha shtetet anëtare”, tha Kos.

Tetorin e vitit tëshkuar, gjatë kohës që Hungaria mbante presidencën e Bashkimit Europian, vendi ynë hapi zyrtarisht grupkapitullin e parë dhe më të rëndësishëm, atë të kapitujve “Themelorë”, që prekin drejtësinë, administratën dhe shtetin e së drejtës.

Po ashtu më 17 dhjetor u çel grupkapitulli i marrëdhënieve me jashtë, me bisedimet për politikën e jashtme dhe sigurinë.

Me konferencën e katërt bëhen 3 grupkapitujt, ndërsa mbeten edhe 3 të tjerë, konkurrueshmëria, Agjenda e Gjelbër dhe Qëndrueshmëria.