Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim Spitalin Amerikan

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur nën hetim Spitalin Amerikan, në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu për shkak të dyshimeve për shkelje të ligjit përmes ofrimit të shërbimeve ekskluzive.

Vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur ditën e djeshme, (9 Prill), pasi Komisioni i Konkurrencës ka marrë në shqyrtim raportin e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor. Raportohet se hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024.

Kujtojmë se bizneset e Allajbeut janë përfitues të kontratave koncesionare miliona euro të shëndetësisë, siç është ai i laboratorëve dhe i Hemodializës.

Në shkurt të këtij viti Allajbeu u paraqit dhe ka qëndruar për rreth dy orë brenda ambienteve të SPAK.

Burime jo zyrtare për mediat bëjnë me dije se Allajbeu është thirrur lidhur me koncesionet në shëndetësi, konkretisht atë të koncesionit të laboratorëve dhe dializës, të cilat u përjashtuan nga hetimi parlamentar.

Ndërkohë emri i tij doli edhe në dosjen e kryebashkiakut, Erion Veliaj ku bashkë kanë udhëtuar drejt Kinës.

Njoftimi i plotë i Autoritetit të Konkurrencës:

“Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim parapak American Hospital SHA dhe International Hospital SHA në tregun e shërbimit spitalor”

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 09.04.2025, mori në shqyrtim raportin e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor.

Në kuadër të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës realizoi procedurën e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor. Gjatë procedurës së monitorimit, është konstatuar pozita dominuese e ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA (shoqëri e bashkuar me përthithje nga American Hospital SHA), në kuptim të nenit 8 të Ligjit nr. 9121/2003.

Gjithashtu, nga të dhëna paraprake, është konstatuar se në lidhje me disa shërbime të caktuara dhe ekskluzive këto ndërmarrje mund të jenë objekt vlerësimi sipas nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1173, datë 09.04.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA në tregun e shërbimit spitalor. Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024.