Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar ditën e sotme në fshatin Sulaj të Fierit, ku një grua ka mbetur e plagosur. Kjo e fundit është identifikuar si Suzana Mërnica ndërsa nuk dihet gjendja shëndetësore.
Mësohet se gruaja po lëvizte me motor me djalin e saj kur autorët, Afrim dhe Ali Cimili, babë e bir i kanë prerë rrugën dhe kanë qëlluar me armë zjarri.
Ende nuk dihen rrethanat e plagosjes, ndërsa Policia është vënë në kërkim të autorëve, të cilët u larguan menjëherë pas ngjarjes. Për kapjen e tyre janë ngritur pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Fierit dhe në akset “Fier-Vlorë”, “Fier-Lushnjë”.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Dërmënasit”, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasja S. M.
Nga hetimet paraprake dyshohet se autorë janë shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, banues në Dërmënas (babë e bir), të cilët janë shpallur në kërkim.
Janë ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Fierit dhe në akset “Fier-Vlorë”, “Fier-Lushnjë”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e prokurorit, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim kapjen e autorëve.