Detaji tronditës/ Vrasja e Ilaria Sulës nga ish-i dashuri, autori pas krimit hëngri drekë me shoqen e shqiptares

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me vrasjen e studentes shqiptare Ilaria Sula nga ish i dashuri i saj, Mark Samson.

Mediat italiane kanë zbardhur pjesë nga dosja që tregojnë veprimet e 23 vjeçarit pas krimit që ndodhi natën e 25 Marsit.

Edhe pse para hetuesve ai tregoi pendesë për vrasjen e ish-të dashurës, veprimet e tij tregojnë të kundërtën.

“Ajo që bie në sy te Mark Samson është qëndrimi i tij i vetëkontrollit të fortë dhe të qartë, veçanërisht në fazën pas vrasjes së Ilarias. Edhe pse disa herë kishte thënë se nuk mund të jetonte pa Ilarian dhe s’mund ta imagjinonte jetën pa të, pasi e vrau brutalisht dhe hoqi qafe trupin e vajzës, ai ia doli të kthehej menjëherë në normalitet”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Hetimet e prokurorisë zbulojnë se, pavarësisht krimit të tmerrshëm që kishte kryer, Samson ka takuar shoqen e Ilarias, me të cilën ka ngrënë një piadinë dhe ka diskutuar për problemet që kishte me të edhe pse, në fakt, ai e kishte vrarë atë pak më parë.

Ai ka vazhduar të bisedonte për çështje të thjeshta dhe banale, pa treguar shenja pendimi apo shqetësimi për veprimin që kishte kryer. Më pas, Samson filloi t’i dërgonte mesazhe babait të Ilarias nga telefoni i saj, për të fshirë dyshimet se diçka e keqe kishte ndodhur,

Një ditë më parë, e ëma e autorit pranoi se kishte ndihmuar djalin e saj, pasi kishte fshirë njollat e gjakut në dhomën ku Mark 23 vjeçari vrau Ilaria Sulën, e cila dje u përcoll për në banesën e fundit.