Resorti luksoz i Bashkim Ulajt në Velipojë, banorët e fshatit Rrjol protestojnë para SPAK

Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës janë mbledhur në SPAK teksa protestojnë kundër ndërtimit të resortit luksoz të Bashkim Ulajt. Këta banorë, të cilët po protestojnë prej ditësh ku janë përplasur edhe me policinë, kanë hedhur akuza në drejtim të biznesmenit se po u grabit pronat.

Për gazetarët, ata kanë thënë se pronat i kanë me dokumente dhe thonë se do të vazhdojnë me betejën  e tyre.

“Unë i kam me dokumente, i kam sjellë në SPAK. I kam çuar në gjykata, të gjithë më thonë si ke. I ka marrë i forti, si kanë për të mi dhënë mua. Bashkim Ulaj s’ka shans me u fut aty. Ne s’kemi ardhur të bëjmë luftë, s’kemi asnjë interesi të konfrontohemi me policë, kemi ardhur për transparencë për ti treguar shtetit shqiptar se çfarë kriminelësh ka këtu. Për fshatarët nuk ka bashki, ka bashki për ata që punojnë në institucione shtetërore, Shpellzaj ka punuar në bashki. Në 2020 na ka informuar Avokatura e Shtetit, pasi i ka marrë pronat Shpellzaj, kur shkuam ne me i marrë. Ca pronash, i ka marrë ai i forti”, tha një prej protestuesve.

Banorët e fshatit Rrjoll akuzojnë bashkëpunëtorin e Ulajt, Fatmir Shpellzaj se me dokumente të flasifikuara pa u grabisin pronat 60 familjeve.

Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj u “shpërblye” nga qeveria me dhënien e statusit të veçantë për ndërtimin e këtij resorti me 5 yje.

Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.