Rëndohet pozita e Veliajt/ Përdori telefonin e policëve të Burgjeve teksa u transferua nga Durrësi në GJKKO, nis hetimi për efektivët

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë nën hetim policët e burgjeve që transferuan Erion Veliajn nga paraburgimi i Durrësit, në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Mediat raportojnë se ky veprim është ndërmarrë pasi kryetari i Bashkisë së Tiranës dyshohet se ka përdorur telefonin e një polici dhe ka kryer telefonata.

Gjatë marrjes në pyetje, oficeri i Burgjeve e ka pranuar një gjë të tillë, ndërsa ka thënë se e bëri nga frika.

Gjykata e Posaçme e Apelit më 13 mars vendosi të lërë në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.

Vendimi u dha nga gjykatësi Engert Pëllumbi,  pasi prokurorët e SPAK paraqitën prova të reja, përfshirë përgjime të bisedave të Veliajt me të afërmve të tij.

Veliaj së bashku me avokatët i kundërshtuan këto prova, por ato u morën parasysh nga gjyqtari, që në përfundim vendosi ta lërë në burg. Ndërkohë, është zëvendësuar masa e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për biznesmenin Elman Abule.

Erion Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “pastrim parash”, akuza që rëndojnë edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila ka konsumuar edhe veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.