Partia Demokratike proteston sot pasdite për mbylljen e TikTok, por platforma është e aksesueshme për të gjithë shqiptarët. Edhe pse parashikohej që të mbyllej më datë 13 Mars, përdoruesit do të kenë mundësi të jenë në TikTok edhe për disa ditë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), i detyronte kompanitë e internetit të ndalonin plotësisht aksesin deri më 13 Mars, por ky rezultat nuk është arritur ende.
I gjithë procesi që do të çojë në mbylljen e TikTok duket se kërkon edhe 9 ditë të tjera.
Ndërkohë Partia Demokratike ka kërkuar dy orë leje për protestën e kësaj të shtune kundër mbylljes së TikTok. Mësohet se opozita ka kërkuar leje nga ora 19:00 deri në orën 21:00 në tubimin që kreu i PD, Sali Berisha njoftoi fill pas vendimit të qeverisë për mbylljen e këtij rrjeti social.
TikTok do të mbyllet për një vit në Shqipëri dhe pritet të hapet sërish pasi kompania do të garantojë filtra për të mbrojtur të rinjtë nga videot me mesazhe dhune.