Ankimoi sekuestrimin e llogarive bankare, shtyhet seanca për Ajola Xoxën

Apeli i GJKKO ka shtyrë për të enjten seancën për Ajola Xoxën, e cila kërkoi heqjen e sekuestrove preventive të dy llogarive bankare.

Mediat raportojnë se shkak për shtyrjen ëshë bërë avokati i ri që ka kontraktuar bashkëshortja e Erion Veliaj, i cili kërkoi kohë që të njihet me aktet.

Xoxa është në hetim për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 260 e 25, 287/2 dhe 257/a/2 i Kodit Penal.

Ajo po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale korrupsion dhe fshehje pasurie.

Më herët, SPAK ka zbardhur skemën se si Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij në të paktën 10 raste kanë kryer veprime korruptive, si dhe pastrim parash.

Sipas SPAK, fonde publike që janë shpërndarë nga Bashkia e Tiranës, kanë kaluar tek Ajola Xoxa dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe shoqërive të kontrolluara nga ajo. 

SPAK thotë se bashkeshortja e Veliaj, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhuteri dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të”– thuhet në njoftimin e SPAK.