Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e ish-deputetit të PD, Ervin Salianji duke e lënë në burg. Salianji i dënuar me 1 vit burg për “kallëzim të rremë” për dosjen “Babale” kishte bërë rekurs kundër vendimit, por është rrëzuar nga Gjykata e Lartë.
Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit prej 27 Shtatorit të vitit të kaluar, teksa e ka cilësuar dënim politik vendimin e gjykatave ndaj tij. Ai ka akuzuar kryeministrin Rama dhe ish-ministrin Fatmir Xhafaj se kanë ndërhyrë te drejtësia për ta dënuar.
Vendimi për ta dënuar me burg u pasua me një sërë reagimesh politike të krahut të djathtë, të cilët e cilësuan dënimin e tij me burg si vendimmarrje politike. Të tillë e quajti edhe vetë Salianji, ku tha se është i dënuari i parë politik në këto 34 vite pluralizëm.
Ish-deputeti u dënua në 18 Dhjetor 2019 me 1 vit burg nga Gjykata e Shkallës së Parë, vendim të cilin e ankimoi në Apel. Pas shumë vitesh zvarritje, Gjykata e Apelit vendosi që të lërë në fuqi vendimin me 1 vit burg me akuzën “kallëzim i rreme”.