Gazment Bardhi mund të përjashtohet nga PD, e ka në dorë Flutra Açka

Situata po kthehet sa në komike aq dhe tragjike në Partinë Demokratike zyrtare. Kryesia e kësaj partie i ka kërkuar Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës, që drejtohet nga Flutra Açka që të rrëzojë vendimin e Gazment Bardhit për të thirrur Këshillin Kombëtar.

“Rezulton që mbledhja e Këshillit Kombëtar është parashikuar të zhvillohet online dhe që vendimmarrjet e Këshillit t’i nënshtrohen një procedure votimi të hapur për shkak të pamundësisë fizike të një mënyre të ndryshme votimi. Në vlerësimin e Kryesisë Rregullorja e pretenduar në këtë vendim nuk ka asnjë parashikim në lidhje me aftësinë e Këshillit Kombëtar për të realizuar mbledhje online e për pasojë jemi në kushtet e shkeljes së dispozitave statutore për mbledhjen dhe vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar”, thuhet në këtë kërkesë.

Ndërkohë, Flutra Açka ka bërë me dije se do mbledhë sot Këshillin e Etikës dhe ka ftuar dhe Gazment Bardhin për pretendimet e tij. Por mbetet për t’u parë nëse do jetë një formalitet, apo po shtrohet rruga e procedurës për të përjashtuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm dhe kreun e Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi nga Partia.

Bardhi reagoi më pas për mediat duke thënë se Komisioni i Etikës në PD nuk egziston dhe akuzoi Lulzim Bashën se po vepron si Berisha. AI u shpreh u vendosur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. “Se kush i shërben Berishës,. Metës dhe Ramës, opinioni publik ka pasur mundësi dhe do ketë edhe në ditët në vijim ta shohë dhe ta provojë me fakte. Sekretari i Përgjithshëm i ka shërbyer vetëm interesave të qytetarëve. Traktet dhe fletë rrufetë e tipit të Byrosë Politike, nuk janë europiane”, tha Bardhi.