Kjo është DEMOKRACIA? Anomalia në zgjedhjet e Rrogozhinës, PS rrit votat pas çdo skandali, por deri kur do vazhdojë?

Ripërsëritja e zgjedhjeve në Bashkinë e Rrogozhinës krijoi idenë se demokratët do të bashkoheshin edhe më shumë në atë zonë, për t’i mundësuar kandidatit të tyre fitoren, pasi Kolegji Zgjedhor konfirmoi se fitorja e socialistëve në këtë bashki ishte marrë në mënyrë të padrejtë.

Bindja e çdo demokrati dhe jo vetëm u rrit edhe më shumë, pas skandaleve që “pushtuan” mazhorancën, nga Gjici, Rraja, Ahmetaj dhe Ministria e Bujqësisë. Logjikisht, skandalet do të silllnin edhe uljen e numrit të votave për socialistët.

Por për çudi, Edison Memollla i Partisë Socialistëve jo vetëm që e fitoi sërish bashkinë në zgjedhjet e zhvilluara dje, por arriti të krijonte një diferencë prej më shumë se 1500 votash. Nëse rezultati i 14 Majit kishte një diferencë prej 18 votash, dje ishin 1500 qytetarë të Rrogozhinës që kanë votuar partinë e skandaleve të njëpanjëshme.

Por a është kjo demokracia? Kjo është mënyra sesi rrinë në pushtet partitë në vendet perëndimore?

Sigurisht që jo, por në Shqipëri demokracia ka vite që nuk funksionon. Për këtë faji nuk është i Edi Ramës, që prej 10 vitesh e ka mësuar se ky popull do vetëm skandale dhe batuta, për të votuar përsëri e përsëri, pavarësisht se detyrohen të marrin borxh për të nxjerrë muajin, kur ministrat vjedhin qindra miliona euro.

Faji nuk është as i Arben Ahmetajt që vjedh dhe arratiset, nuk është as i Erion Veliajt që firmos afera dhe paguan e kërcënon këdo që të heshtë, as i Olta Xhaçkas që territorin e Shqipërisë ia bën dhuratë burrit. Nuk është as i Gjicit apo i Rrajave, dhe sigurisht që nuk është as i Frida Krifcës dhe Ilir Beqajt, që lekët e fermerëve ua japin ortakëve të tyre.

Nuk është as i ambasadorëve që mandatin diplomatik në Shqipëri e kanë ngatërruar me pushimet, mjafton të mbështesin qeverinë. E në fund, faji nuk ka sesi të jetë i Presidentit, i vendosur aty që të firmosë çdo vendim qeverie, pavarësisht sa i dëmshëm mund të jetë për vendin.

Populli shqiptar është fajtori i vetëm që Shqipëria ka arritur në këtë situatë, pasi me votën e tyre e ka bërë Shqipërinë të jetë një nga vendet më të korruptuara në botë, ku sipas studimit të fundit, jemi më poshtë edhe se Somalia apo disa vende të tjera afrikane. Por populli nuk është i vetëm, bashkë me të është edhe opozita, një pjesë e të cilës është kapur nga pushteti, ndërsa pjesa tjetër nuk po arrin të bashkojë mbështetësit e saj.

Derisa populli të reflektojë dhe opozita të mund të nxjerrë disa alternativa vërtet të mira, rasti i Rrogozhinës apo skandalet e tjera do të kthehen në gjëra të zakonshme, që pasojat do t’i kenë shumë të mëdha.