Qesharake, PD e vulës ndryshon sërish vulën të ndalë Gazment Bardhin

Gazment Bardhi paralajmëroi sot  mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve por menjëherë pas këtij vendimi, kryesia e kësaj force politike vendosi për t’i marrë atij vulën e partisë.

Ditën e sotme një grup deputetësh të PD i kërkuan Gazment Bardhit të ndalojë zgjedhjet për kryetar të partisë, që do të zhvillohen për 5 ditë, pasi sipas tyre rrezikohet përçarja e partisë.

Mësohet se mbështetësit e Bashës kanë vendosur që të ngarkojnë sekretarin për çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Indrit Sefa për prodhimin dhe administrimin e vulës së partisë.

Vetë Bardhi ka reaguar duke e quajtur qesharak këtë vendim të Kryesisë, pasi sipas tij statusi i partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë dhe aq me pak me vendim pa kuorum të Kryesisë.

“Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD”, ka thënë ai.

REAGIMI I BARDHIT:

“Nuk e kam zakon te komentoj veprime dhe akte qesharake dhe nen e efektin e dëshpërimit. Por për kureshtjen tuaj:

Vula administrohet sipas nenit 8 të Statutit dhe urdhrit nr. 218, datë 07.11.2019 të Kryetarit të Partisë; ndërsa dokumentimi, arkivimi, dhe protokollimi behet sipas nenit 21 të Statutit të Partisë dhe rregullave të miratuara me udhëzimin nr. 8, datë 19.01.2020 të Sekretarit të Përgjithshëm. Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD. Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetëm dispozitave të Statutit, se me letra me firma mund tju vij keto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë!”