Partia Socialiste ka njoftuar anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme për t’u mbledhur të mërkurën e ardhshme. Mbledhja nuk ka një agjendë të përcaktuar veçse analizës së zgjedhjeve lokale të 14 Majit dhe punës së kabinetit.
Por skandalet e fundit dhe ndryshimi i ministrit të Brendshëm ka shtuar dyshimet se Rama do kryejë të tjera lëvizje. Gjithsesi, brenda PS çdo gjë është hermetike dhe të gjithë presin vetëm nga kryeministri Edi Rama.
Në kryeministri po flitet gjithnjë e më shumë për ndryshime të tjera në qeveri, pasi Rama nuk është i kënaqur me performancën e tyre. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka pritet të jetë një nga ministret që do të shkarkohet, pas skandaleve të shumta që e kanë përfshirë. Ajo është një nga ministret më të akuzuara nga opozita, për shkak se bashkëshorti i saj ëhstë shpallur edhe investitor strategjik nga qeveria, duke përfituar sipërfaqe të mëdha toke në bregdet.
Gjithashtu, mandati i Olta Xhaçës duhet të shkonte në Gjykatën Kushtetuese, por mazhoranca ka arritur ta zvarrisë këtë proces, për të mos e lënë ministren në duart e drejtësisë. Frida Krifca që prej disa vitesh drejton Ministrinë e Bujqësisë, do t’i duhet t’i lërë vendin një tjetër socialisti. Mesa duket, kritikat e shumta nga Erion Braçe për ministren kanë rënë në veshin e Ramës, që duket se e ka zgjedhur edhe ministren e radhës. Por ky ndryshim i ministres Krifca lidhet edhe me një ngjarje të fortë pas vendimit të Komisionit Europian mbi ndalimin e fondeve për bujqësinë, për shkak të korrupsionit.
Milva Ekonomi drejton një ministri të re, atë të Standarteve dhe Shërbimeve, por edhe ajo duket se nuk i ka përmbushur pritshmëritë e Ramës. Ndërkohë, Elisa Spiropali pritet të lërë detyrën si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për t’u ngritur në detyrë. Burime bëjnë me dije se ajo do të marrë Ministrinë e Jashtme ose atë të Bujqësisë, pasi është një nga personat më të besuar të kryeministrit.