Tritoli në katin e 9 të pallatit u hodh me dron/ Policia zbardh detaje, shënjestra ishte Benard Sinomanti

Detaje të tjera janë zbardhur për shpërthimin me lëndë plasëse në katin e nëntë të një pallati në Tiranë. Mediat shkruajnë se hetuesit kanë vërtetuar se lënda plasëse është hedhur me dron.

Droni ka shpërthyer bashkë me lëndën plasëse, e cila dyshohet se ka qenë një minë e vogël artizanale me telekomandë.

Policia po bën ekspertizën e disa mbetjeve të dronit për të gjetur gjurmë çka mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Ndërkohë shënjestër e këtij sipas grupit hetimor dyshohet se ka qenë Benard Sinomanti nga Vlora.

Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë te Vlorës po e kërkojnë Benard Sinomatin për ta marrë në pyetje lidhur me shpërthimin por deri më tani ai nuk është gjetur.

Po ashtu policia nuk ka mundur të gjejë edhe Elena Arzën, e cila kishte marrë me qira  apartamentin në rrugën Sadik Petrela.

Sipas hetimeve, është vërtetuar se banesa është dhënë me qira në fundin e korrikut të këtij viti dhe se gjithçka është bërë me anë të dokumentacionit.

Pronari i banesës në katin e 9-të ka thënë se shtëpinë ia ka dhënë një çifti që në verë dhe se ai personalisht nuk ka asnjë konflikt të hapur çka mund të ketë sjellë këtë ngjarje.

Benard Sinomati dhe Elena Arza dyshohet se janë larguar vetëm disa minuta pas shpërthimit të eksplozivit.

Bernard Sinomati është vëllai i Sokol Sinamatit, ish-anëtarit të bandës së “Gaxhait ”, dhe xhaxhai i Gëzim Sinomatit, 22-vjeçarit që u ekzekutua me snajper në janar të këtij viti në lagjen “Hajro Çakerri” në Vlorë.

Edhe për vrasjen e 22-vjecarit policia dyshon se shënjestra ka qenë pikërisht Xhaxhai i tij, Benardi, me precedentë të mëparshëm penale për armëmbajtje pa leje dhe i skeduar nga Policia e Vlorës.