Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me krimin e rëndë që ndodhi sot në Dobraç, ku mbetën të vrarë dy persona dhe dy të tjerë të plagosur.
Mësohet se ndaj mjetit që udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati është qëlluar me armë zjarri. Plumbat i morën jetën Hamza Licit, ndërsa Arlind Bushati ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Policia sqaron më tej se mjeti “Benz” me të cilin udhëtonin viktima dhe i plagosuri ka humbur kontrollin duke përplasur një motor, me të cilin udhëtonin një çift bashkëshortësh. Për pasojë ka humbur jetën gruaja Flutura Basha, ndërsa burri i saj Bashkim Basha është në gjendje të rëndë.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.
Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e rimeve të Rënda
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.