Më shumë se 30 vite me të njëjtët deputetë, të njëjtët politikanë që kandidojnë dhe qeverisin vendin, me të njëjtat premtime dhe me asnjë ndryshim nga njëri-tjetri.
Por, duket se shqiptarve u ka ardhur në majë të hundës që të vazhdojnë të qeverisen nga njerëz që kanë qenë zyrtarë të kohës së komunizmit apo familjarë të tyre.
Sondazhi i fundit i Barometrit në Euronews Albania tregoi pak dritë në fund të tunelit që është futur Shqipëria prej rënies së diktaturës. Shqiptarët po ndryshojnë mendim, duke u besuar shumë më shumë politikanëve të rinj dhe me vizion perëndimor, të cilët pak nga pak po lënë në hije kastën e vjetër politike.
Agron Shehaj, Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani po bëhen gjithmonë e më të besueshëm në sytë e qytetarëve shqiptarë, për shkak të denoncimeve të forta me emra për oligarkët dhe grabitjet që po u bëhen shqiptarëve në çdo tender të kujtdo ministrie.
Ndërkohë, liderët e vjetër po e humbin shumë shpejt besueshmërinë, për shkak se nuk kanë më asgjë se çfarë të ofrojnë, përveç premtimeve boshe që kanë mbi 30 vite që u servirin shqiptarëve në çdo fushatë elektorale.
Le t’i marrim me radhë:
LIDERËT E VJETËR
Në sondazhin e Barometrit, mendimi pozitiv për kryeministrin Edi Rama krahasuar me muajin Mars 2024, ka një rënie prej 9.6%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Mars 2024 është rritur me 7.7%.
Edi Rama – Mendimi pozitiv – 45.9% ; Mendimi negativ – 50.1%
Edhe për Sali Berishën mendimi pozitiv vijon të mbetet shumë i vogël, edhe pse ka një rritje shumë të lehtë. Mendimi pozitiv për Sali Berishën krahasuar me muajin Mars 2024, ka një rritje prej rreth 3%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Mars 2024 ka një rënie prej rreth 4%.
Sali Berisha – Mendimi pozitiv – 28.7% ; Mendimi negativ – 66.3%
Humbja e vulës së PD-së dhe aneksimi që i kanë bërë deputetët që dikur i kishte krah vetes, e mbajnë Lulzim Bashën shumë poshtë në besueshmërinë që kanë shqiptarët për të.
Lulzim Basha – Mendimi pozitiv – 13.9% ; Mendimi negativ – 80.5%
Edhe më i ulët është vlerësimi për Ilir Metën, me kreun e Partisë së Lirisë që qëndron shumë ulët në krahasim me liderin tjetër të opozitës, Sali Berishën. Mendimi pozitiv për të është rritur 1.5% krahasuar me Janar-Mars 2024, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Janar – Mars 2024 ka një rënie prej rreth 2.6%.
Ilir Meta – Mendimi pozitiv – 9.9% ; Mendimi negativ – 84.6%
LIDERËT E RINJ
Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet” kryeson listën e mendimit pozitiv te liderët e rinj, me 46.2% të qytetarëve të pyetur që kanë mendim pozitiv për të. Mendimi pozitiv për Adriatik Lapaj krahasuar me muajin Maj 2024, ka një rritje prej 5.4%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Maj 2024 është ulur me 2.5%.
Adriatik Lapaj – Mendimi pozitiv – 46.2% ; Mendimi negativ – 24.4%
Agron Shehaj i “Partisë Mundësia” ka rritjen më të lartë të mendimit pozitiv në krahasim me sondazhin e Muajit Maj. Mendimi pozitiv për Agron Shehaj krahasuar me muajin Maj 2024, ka një rritje prej 11.5%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Maj 2024 është rritur gjithashtu me 2%.
Agron Shehaj – Mendimi pozitiv – 41.7% ; Mendimi negativ – 33.4%
Edhe Arlind Qori i “Lëvizja Bashkë” ka një rritje të konsiderueshme të mendimit pozitiv, pasi në krahasim me muajin Maj 2024, ka një rritje prej 7.5%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Maj 2024 është rritur gjithashtu me 0.7%.
Arlind Qori – Mendimi pozitiv – 31.3% ; Mendimi negativ – 24.5%
Rritje të mendimit pozitiv edhe për Endri Shabanin e “Nisma Thurje”, ku krahasuar me muajin Maj 2024, ka një rritje prej 4.2%, ndërkohë që mendimi negativ për të krahasuar sërish me Maj 2024 është ulur gjithashtu me 6.3%.
Endri Shabani – Mendimi pozitiv – 23.8% ; Mendimi negativ – 26.8%
Këto shifra të sondazhit, edhe pse duhen shumë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, tregojnë disi se si do të shpërndahet vota e qytetarëve shqiptarë, ku mund të kemi më shumë deputetë nga partitë e vogla se sa kemi patur në 3 legjislaturat e fundit.
Një Parlament me shumë deputetë nga partitë e vogla, që kryesisht janë opozitare, do ta ndihmonte edhe më shumë kontrollin e qeverisë nga Kuvendi, pasi këta liderë të rinj kanë treguar se nuk i tremben as oligarkëve dhe as qeverisë, kur bëhet fjalë për të denoncuar afera korruptive apo lidhje të pushtetit me krimin.
Ndoshta, në zgjedhjet e vitit 2025, shqiptarët do të tentojnë të largohen nga e vjetra për t’u afruar me të rinjtë, për të ecur në rrugën drejt Bashkimit Europian pa patur nevojë të ngremë kampe emigrantësh apo të falim tokë e det.