Enkelejd Alibeaj prezanton partinë e re “Djathtas”, me figurat e larguara nga PD

Rreth një muaj pasi prezantoi krijimin e grupimit të ri parlamentar, Enkelejd Alibeaj dhe “rebelët” e tjerë opozitarë kanë prezantuar sot partinë e re.

Alibeaj së bashku tre deputetë të tjerë ish demokratë janë bërë bashkë për të formuar partinë “Djathtas 1912”.

Në krye të saj do të jenë deputetët Enkelejd Alibeaj, Arbi Agalliu, Flutura Acka, Seladin Jakupllari si dhe figura të tjera të larguara nga PD, si  Edvin Kulluri, Agron Kapllanaj, Roland Bejko.

Në prezantimin për mediat, Alibeaj, teksa lexoi Kartën e Parimeve dhe Vlerave të partisë së re, u shpreh se ajo është e bazuar në 5 shtylla themelore:

“Ne besojmë në parimet e spektrit të djathtë, i cili ka në themelet e tij lirinë e individit si baza e të githë kohezionit shoqëror, ekonomik dhe politik. Për ne, përfaqësimi sa më i drejtpërdrejtë i sovranitetit popullor në çdo nivel të qeverisjes është jetësimi i lirisë. Ne e shohim zhvillimin e vendit të bazuar mbi pesë shtylla themelore të lirisë: individin, pronën, familjen, vetëqeverisjen dhe besimin”.