Turqia i jep dronë kamikazë Shqipërisë, Rama: Një dhuratë që mban brenda një mesazh të qartë

Shqipëria ka marrë dhuratë nga Turqia një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë.

Lajmi u njoftua nga kryeministri, Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

“Unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentin sot në këtë kohë të trazuar, ku bota ka marrë një drejtim të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë për t’i dhënë ushtrisë së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë”, tha ai.

Rama theksoi se Turqia ka arritur një nivel ushtarak mjaft të fortë dhe ndihma do e bënte Shqipërinë të paprekshme.

“Nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që mban brenda një mesazh të qartë të Turqisë, në raport me këtë marrdhënie që Shqipëria është e pagoditshme”, u shpreh kreu i qeverise.

“Ne jemi shumë të interesuar dhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënie në aspektin ushtarak, ku dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapaciotetesh për prodhimin e industrisë ushtarake dhe ku ne kemi evidentuar konkretisht investime në këtë fushë”, tha Rama.

Po ashtu, Rama theksoi se ai dhe Erdogan ndajnë të njëjtin qëndrim sa i përket popullit palestinez dhe të drejtës për të jetuar të lirë në shtetin e tyre. Por megjithatë kryeministri theksoi se Shqipëria nuk justifikon asnjëlloj forme terrorizmi, referuar edhe Hamasit.