Ditën e djeshme policia njoftoi se në spitalin e Peshkopisë ishin paraqiutr disa persona me simptoma helmimi dhe midis tyre kishte edhe fëmijë.
Vetëm në pediatri kishte të paktën 10 pacientë të vegjël që vinin me të njëjtat simptoma, dhimbje barku dhe të vjella. Sipas burimeve për media dyshohet se ata ishin helmuar nga uji i pijshëm.
Zona nga ato vijnë furnizohet me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i Saponikës, ndaj dyshimet kryesisht janë tek kontaminimi i ujit të pijshëm.
Ndërkohë, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor ka marrë mostrat e ujit dhe nga analizat e para, ato mikrobike, kanë dalë pa ngarkesa. Ditën e sotme pritet të vijë përgjigjja e analizave bakterologjike të çuara për analizim në laboratorin kombëtar në Tiranë. Që nga dita e djeshme institucionet kanë njoftuar banorët e Njësive Administrative Kastriot, Fushë Çidhën, Arras, dhe një pjesë e fshatrave të Njësisë Tomin që të mos e konsumojnë ujin, ose ta ziejnë atë para përdorimit.