Prokuroria e Posaçme po pret heqjen e mandatit të Arben Ahmetajt nga Komisioni i Mandateve në Kuvend që të bëjë të mundur arrestimin e ish-ministrit, i akuzuar për 3 vepra penale në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Por Ahmetaj nuk do të jetë i vetmi për të cilin SPAK do të kërkojë masë sigurie. Pas arrestimit të Ahmetajt, nëse do të ndodhë nesër, masë sigurie nga SPAK do të kërkohet edhe për ish-gruan Albina Maçka dhe bashkëjetuesen Erjola Hoxha, të cilat figurojnë në dokumentet e sekuestruara nga SPAK si përfituese së bashku me Ahmetajn nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Gjithashtu masë sigurie do të kërkohet edhe për Artan Gjokajn, ish-këshilltarin e Ahmetajt dhe Gerian Kuken, i akuzuar si kamuflues i kalimit të vilave nga Klodian Zoto në pronësi të Arben Ahmetajt.
SPAK ka gjetur të paktën 6 raste korrupsioni të ish-ministrit, që ka përfituar qindra mijëra euro dhe disa prona nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të dy të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.