Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, e ka paralajmëruar Kosovën se rrezikon të mbetet e “vetme dhe mbrapa”, nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e vet, pas veprimeve të saj së voni në veriun e vendit me shumicë serbe.
“Ne nuk kemi asgjë për të thënë për këtë temë të rihapjes së urës. Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës [BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe] kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano.
Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it.
Kjo nxiti edhe protestë të serbëve të Kosovës në veri javën e kaluar, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës.
Më herët këtë javë, ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
Ai tha se shpreson se Qeveria e Kosovës do ta dëgjojë kërkesën e tyre.
Të enjten, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Presidentja Osmani, megjithatë, tha se Kosova nuk duhet asesi ta diskutojë çështjen e urës me Serbinë në Bruksel dhe shtoi se deklaratat e fundit të BE-së në lidhje me urën janë “raciste”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se hapja e urës mbi Ibër nuk është çështje e pazgjidhur e dialogut, por është “kërkesa kryesore e marrëveshjes së arritur në Bruksel.
I pyetur rreth kritikave të zyrtarëve të Qeverisë dhe të Osmanit ndaj bllokut – i cili ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë në Bruksel – Stano tha për media se nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje të re, por me zbatimin e asaj të arritur më parë për urën.
“Po ashtu mund të përsëris se çfarë e kemi këshilluar Prishtinën në një numër rastesh: Qeverisja e mirë nënkupton që t’u afrohesh dhe t’i angazhosh komunitetet ndaj të cilave kanë ndikim vendimet specifike. Që të merret me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të thotë të diskutohen modalitetet e implementimit të marrëveshjes së arritur për urën e jo një marrëveshje e re”, shtoi ai.
“Duhet dëgjuar vërtet dhe duhet tentuar të kuptohen këshillat e njëzëshme dhe qëllimmira nga të gjithë miqtë dhe aleatët”, shtoi ai.
Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar më 2014 që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë.
Çka parashikon Marrëveshja për urën?
Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për qarkullim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2014.
Me të u parapa i ashtuquajturi “rivitalizim i urës”, me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave dhe funksionalizimin e urës.
Barrikadat e para në këtë urë u ngritën në vitin 2011 nga serbët vendas, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.
Në vitin 2014, ato barrikada u zëvendësuan me gardhe prej betoni, të cilat autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut – të udhëhequra nga Lista Serbe – i quajtën “Parku i Paqes”. Ky “park” u hoq në vitin 2016 – kohë kur ura mendohej të hapej për qarkullim.
Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia ranë dakord për një plan të ri zbatimi, qëllim i të cilit ishte tejkalimi i mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme që u bëheshin konkluzioneve të mëparshme.
Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës ishte menduar të bëhej në janar të vitit 2017.
Megjithatë, punimet për rivitalizimin e urës përfunduan në qershor të vitit 2018.
Në atë projekt u investuan 1.5 milion euro.
Në fund, ura nuk u hap për mjete motorike, por vetëm për këmbësorë.
Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.
Autoritetet kosovare janë kritikuar edhe për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit, në fillim të gushtit, për të cilat thanë se vepronin pa licencë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kritikuan këtë vendim si të “njëanshëm”. REL