Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nëse nuk zhvillohet mbledhja e dy qeverive, e cila u anulua pa paralajmërim nga qeveria Rama, ai nuk do ta takojë këtë të fundit.
Kryeministri Rama do të mbajë një tur në Ballkan me rastin e mbylljes së “open Balkan” dhe në kuadër të Procesit të Berlinit në datat 6 korrik dhe 7 korrik. Ai do të udhëtojë drejt Beogradit, Sarajevës, Prishtinës dhe Shkupit, ndërsa do të zhvillojë takime me krerët e shteteve përkatëse.
Në media është përfolur për një takim të mundshëm të Ramës me Kurtin, megjithatë këtë të mërkurë, kreu i qeverisë së Kosovës e ka hedhur poshtë.
Në një deklaratë për gazetarët nga Prishtina, Albin Kurti tha se nuk e takon Edi Ramën, nëse nuk zhvillohet mbledhja e qeverisë mes dy vendeve që u anulua në mënyrë të njëanshme nga ana e këtij të fundit.
“Jam në kontakt të drejtpërdrejt me Ramën dhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Di që ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor dhe i kam kërkuar që meqenëse do të vijë të qëndrojë dy ditë dhe një natë në Prishtinë, të mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive që u anulua paparsyeshëm ndonëse ishte paraparë muaj më parë me 14 qershor në Gjakovë.
13 marrëveshje kanë ngelur në sirtar. Në mënyrë që të mos ngelen edhe më tutje, sepse nga këto përfitojnë qytetarët, unë i kam propozuar Ramës që meqenëse po vjen këtë javë le të mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive tona dhe të nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara dhe që janë në sirtar. Procesi i Berlinit është i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan lider politik, institucional si kryeministri i Kosovës që ka mbështetur Procesin e Berlinit.
Nuk lëngon raporti Kosovë – Shqipëri, por edhe demokracia e paqja në Ballkan pse nuk takohen kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar pa arsye, andaj unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo takime të tjera.”, tha Kurti.