E P̷A̷MUNDUR! Frikë ndaj askujt

Qindra e mijëra kilometra larg njëri tjetrit, të shpërndarë në të gjithë botën, të lindur jashtë Shqipërisë apo të larguar fare të vegjël për shkak të luftës, të rritur me vështirësitë e jetës së një emigranti, të stërvitur zbathur apo me këpucë të grisura, të nënvlerësuar për shkak të origjinës, por me dashurinë e madhe për një komb që ka lindur burra të mëdhenj, për t’u bërë bashkë në një mision të vetëm, ngritjen peshë të miliona zemrave që rrahin nën ritmin e Himnit Kombëtar.

Sot, Kombëtarja shqiptare, krenaria e madhe e këtij kombi të vuajtur, por që nuk hoqi kurrë dorë së luftuari, me pushkë apo me penë, kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve të brendshëm, do të kërkojë të bëjë historinë.

Në orën 21:00, në Dusseldorf, 26 djem nga të gjitha trevat shqiptare, të thirrur nga një “lushnjar”, kanë ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tyre deri tani.

Shqipëria sfidon gjigantët e Spanjës në një ndeshje që në letër duket e pamundur, por që djemtë kuqezi do ta luajnë me shport deri në sekondën e fundit, duke shpresuar se bilbili i trefishtë i arbitrit do të sjellë vetëm lot gëzimi.

Fitorja është i vetmi opsion i Shqipërisë për të kaluar grupin, ndërkohë që një barazim apo humbje do të na nxirrte jashtë EURO 2024 përfundimisht.

Spanja, e njohur për “matadorët” e saj, do të tentojë të “vrasë” demat shqiptarë, të uritur më shumë se kurrë për sukses me fanellën që përfaqëson më shumë se 10 milionë shqiptarë në të gjithë botën.

Arenat në Spanjë kanë parë shumë dema të përulur përpara zgjuarsisë së “matadorëve”, por jo pak herë kanë parë dhe “matadorë” të humbasin betejën me demat e tërbuar.

Ky duhet të jetë edhe fati ynë, fat që duhet ta krijojmë vetë, për t’i treguar të gjithëve se Shqipëria nuk është më vendi që ul kokën, por vendi që përballet me këdo si e barabartë.

Sot, asgjë nuk është e pamundur! Le të oshëtijnë thirrjet “O sa mirë me qenë shqiptar” në të gjitha shtëpitë!

Ne mundemi! Ne jemi Shqipëria!