Aty kanë hyrë shumë personalitete, lidera botërorë, politikanë, aktorë të njohur në të gjithë botën, mjekë, sportistë dhe muzikantë.
Po flasim për Kryeministrinë dhe zyrën e kryeministrit të vendit, që siç dëshmoi edhe Arben Ahmetaj vitet e fundit ka filluar të presë edhe njerëz të krimit dhe trafikantë droge, siç ishte rasti i Luftar Hysës.
Për këtë të fundit, takimi me Ramën ishte për shkak të një libri që do bënte miku i tij, ndërsa vetë Rama tha për RAI 3 se Luftar Hysën e kishte takuar për një kazino në Vlorë.
Të enjten, në Shqipëri erdhi edhe youtuberi i njohur “Ishowspeed”. Duke mos e njohur karakterin e tij, sapo mori vesh që ai do të vinte në vendin tonë, Rama nxitoi ta ftonte në zyrën e tij, për ta shfrytëzuar si mjet propagande, duke mos e ditur se çfarë e priste.
Por ndryshe nga ajo që priste Rama, ku ishte mësuar të fliste vetë dhe të shpjegonte bukuritë e zyrës së tij të pikturuara nga vetë ai, u ndesh me një djalë shumë energjik, që jo vetëm foli e lehu si qen përpara kryeministrit, por edhe luajti basketboll në zyrën e tij.
Ndryshe nga herët e tjera, Rama nuk ka publikuar asnjë moment nga takimi me “IshowSpeed”, pasi nuk kishte asnjë moment ku mund të propagandohej, por tregohej se si një djalosh që merret me video në rrjetet sociale, bënte çfarë të donte në zyrën e njeriut më të pushtetshëm në vend.
Por në atë zyrë që tashmë i ngjason një dhome fëmije, që ka ngjitur në mure posterat e sportistëve të tij të preferuar, nuk mund të hyjnë dot qytetarët e thjeshtë të këtij vendi të varfër, ata qytetarë që vendosin se kush do të ulet në atë karrige.
Aty nuk mund të hyjnë dot naftëtarët, minatorët, punonjësit e fasonerive, shqiptarët që u kanë grabitur pronat, pasi këtë nuk pranohen sepse tregojnë realitetin e vështirë ku jetojnë, duke hedhur poshtë propagandën e shëmtuar që bëhet nga qeveria.
Sot, Kryeministria është kthyer në një han me dy porta, ku nga njëra anë futet kryeministri dhe qeveria, ndërsa nga ana tjetër çdo njeri që mund të shërbejë për propagandë, ndërkohë që jashtë saj presin shqiptarët, që gjithë jetën u graabitën nga ata që i zgjodhën me votën e tyre.