Foto/ Efektivit në Shkodër i vendosin tritol në makinën e parkuar në oborrin e shtëpisë

Një shpërthim tritoli është regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure në qytetin e Shkodrës. Policia ka njoftuar se në lagjen “Tepe”, në automjetin e policit Kastriot Selimaj, është vendosur lëndë plasëse te goma e pasme.

Efektivi e kishte parkuar makinën në oborrin e shtëpisë dhe nuk dihet se si keqbërësit janë futur brenda territorit të banesës dhe kanë vendosur tritolin në gomën e pasme të makinës. Si pasojë është dëmtuar pjesërisht automjeti i punonjësit të policisë dhe për fat të mirë nuk ka patur të lënduar.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilat po bëjnë kontrollin e zonës.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 04:00, në lagjen “Tepe”, Shkodër, në automjetin e shtetasit K. S., 50 vjeç, (punonjës Policie), i parkuar në oborrin e banesës, është vendosur lëndë plasëse tek goma e pasme e automjetit.

Si pasojë është dëmtuar pjesërisht automjeti.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë të cilat vijojnë kontrollin në zonë.

Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve