“Në stadium për të mbështetur Serbinë”, Dritan Abazoviç sqaron deklaratën që e “kryqëzoi” nga shqiptarët

Deklarata e ish-kryeministrit shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, se do të shkonte në stadium për të mbështetur Serbinë në ndeshjen ndaj Anglisë, ngjalli reagime të forta nga ana e shqiptarëve.

“Do të jem në stadiumin e Gelsenkirchen, duke brohoritur për Serbinë kundër Anglisë. Shpresoj se është koha për befasinë e parë të madhe, edhe një barazim dhe do të ishte rezultat i mrekullueshëm, por pse të mos besoni se Anglia mund të rrëzohet”, u shpreh Abazoviç për median serbe.

Por ai ka sqaruar sot në Euronews Albania deklaratën e tij, teksa tha se në Gjermani kishte shkuar për të mbështetur Shqipërinë, por duke qenë se nga Ballkani janë edhe Serbia dhe Kroacia, ka vendosur të mbështesë edhe skuadrat e rajonit.

“Unë kam ardhur në Dortmund për të parë Shqipërinë. Gjithashtu e kam shfrytëzuar rastin duke qenë se kemi mbërritur në Gjermani, shkuam dhe në ndeshjen mes Serbisë dhe Anglisë. Në të ardhmen do jemi dhe në ndeshjen mes Kroacisë dhe Italisë. Ashtu sikurse kam ardhur të mbështet Shqipërinë, duke qenë se mbështet një politikë paqësore, kam simpati edhe për skuadra të tjera të rajonit. Këtë moment vetëm Serbia dhe Kroacia janë këtu, por shpresoj në një kampionat tjetër do të jetë Mali i Zi, Bosnja apo Kosova. Ai është qëllimi i asaj deklarate”, tha Abazoviç.

“Për televizionin shtetëror të Serbisë kam thënë se kam ardhur të mbështes Shqipërinë, por gjithashtu kundër Anglisë kam tifozllëk më të fortë ndaj Serbisë. I uroj sukses dhe ekipeve të tjera në këtë kompeticion”, shtoi ai.