Elidjana Çelaj është emëruar përkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve, pas dorëheqjes të ish-drejtorit të përgjithshëm Ceno Klosi.
Ky i fundit edhe pse në hetim nga SPAK për 4 akuza, tashmë është emëruar si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Në urdhrin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë që ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare thuhet se “Elidjana Çelaj, me pozicion të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Hartimit të Programeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, është ngarkuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, me qëllim garantimin e funksionimit të veprimtarisë së përditshme administrative, deri në momentin e plotësimit të vakancës për këtë pozicion pune apo në një urdhër të dytë”.
Rikujtojmë se Ceno Klosi është një nga njerëzit më të besuar të ministres Belinda Balluku. Ai u emërua në krye të Tatimeve në vitin 2021, ku zëvendësoi Delina Ibrahimaj, aktualisht ministre e Shtetit për Sipërmarrjen.
Klosi është vënë në hetim nga SPAK për katër vepra penale: Korrupsion, shpërdorim detyre, mashtrim dhe falsifikim i dokumenteve.