Beleri: Nëse shpallem i pafajshëm zgjedh Bashkinë e Himarës, jo Parlamentin Europian

Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës i cili pak ditë më parë u zgjodh eurodeputet, ka dhënë një intervistë së fundmi nga burgu, ku tha se nëse Apeli e shpall të pafajshëm, ai do të zgjedhë postin e kryebashkiakut.

Në një intervistë telefonike në Euronews Albania, Beleri tha se zgjedhja e tij si eurodeputet, është edhe meritë e kryeministrit Rama, pasi nëse nuk do ishte dënuar në Shqipëri, nuk do ishte bërë i njohur në Greqi dhe nuk do ishte zgjedhur eurodeputet. Kryebashkiaku i zgjedhur u shpreh se nëse nuk e gjen të drejtën në Shqipëri, çështjen do ta çojë në Strasburg për të drejtën e tij, por nëse Apeli shpallet i pafajshëm ai do të zgjedhë të jetë kryebashkiaku i Himarës.

“Mitsotakis më përgëzoi për fitoren dhe më tha se ishte i kënaqur. Unë jam një nga 21 deputetët grekë dhe do kem të njëjtat politika me ta në Parlamentin Europian. Gjithashtu unë jam edhe shqiptar e do mundohem të bëj kontributin tim. Për mua Shqipëria nuk është Edi Rama. Nëse dal i pafajshëm unë do zgjedh Bashkinë e Himarës”,-tha Beleri.

Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet në Greqi, ndërsa në Shqipëri ndodhet në burg për korrupsion zgjedhor që prej majit 2023. Beleri ka marrë 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen. Ai është në pritje të vendimit të Apelit për dënimin me 2 vite burg.