Rritja e pagave të gjyqtarëve të “Kushtetueses”, Fatmir Xhafaj del kundër kolegëve të tij: Është lajthitje!

Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj ka dalë kundër kolëgëve të tij ndërsa sot në Kuvend pritet që të votohet për rritjen e pagave për gjyqtarët e Kushtetueses.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Xhafaj tha se nuk është dakord për rritjen e pagës së gjyqtarëve për efekt vështirësie, pasi sipas tij argumentet nuk janë bindëse.

Rikujtojmë se me ndryshimet e bëra në projektligj, paga e një gjyqtari do të rritet në vlerën e 644 mijë lekëve të reja ndërsa e kryetarit 773 mijë lekë.

Xhafaj ka qenë i vetmi nga socialistët që abstenoi në Komisionin e Ligjeve, ndryshe nga kolegët e tij, që votuan pro projektligjit.

Ndryshe nga Xhafaj, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se kthimi i Gjykatës Kushtetuese në majën e piramidës së pagave, është një detyrim ligjor.

Për tu miratuar ndryshimet në projektligj nevojiten 84 vota dhe nuk dihet nëse PS dhe PD do të arrijnë dakordësinë, ashtu siç bën më herët me amnistinë penale.

“Kemi qenë me fat që me gjithë tranzicionin e çmendur në këtë vend, GJK në vite ka dëshmuar integritet, profesionalizëm, e vlerësuar nga opinion publik. Gjykata aktuale ka sfidën për ta ruajtur me fanatizëm këtë traditë të mirë, me paanshëmri objective. GJK aktuale ka një përbërje të mirë, ka profesionistë me përvojë. Gjykata ka dhe një staf këshilltarësh, të cilët mund të jenë burim për drejtësinë kushtetuese. Personalisht bëj pjesë tek ata që shpresoj se pas kalimit të kësaj faze tranzicioni, është momenti që GJK të bëjë ndryshimin e duhur, të dëshmojë paanshmëri, profesionalizëm, koherencë në ruajten e praktikave më të mira në vote. Jemi në pritje të shohim autoritetin kushtetues të këtij institucioni.

Paga e ndihmon pavarësinë, por nuk është baraz integritet, profesionalizëm. Për pozicionin e rëndësishëm që ka GJK, por rolin që luan në forcimin e shtetit të së drejtës, formimi financiar është i rëndësishëm. Jam dakord për rritjen e pagës referuese, por nuk jam fare dakord për shtesën mbi pagë të aplikuar mbi të për arsye vështirësie. Argumentat që diskutohen nuk janë bindëse dhe e bëjnë të diskutueshme këtë vendimmarje. GJK nuk është maja e piramidës në sistemin e drejtësisë. Është pakujdesi në të shkruar, apo reminishencë e praktikave të mëparshme. Përpjekja për ta futur në këtë rol  GJK në raport me vendimet e SPAK dhe GJKKO do ishte kthim prapa me pasoja për shtetin e së drejtës.

I bie që një gjyqtar kushtetues të paguhet më tepër se presidenti, ministrat apo kryeministri. Bie argumenti i hierarkisë së pagave në piramidën shtetërore. Asnjë gjë nuk ka ndryshuar nga statusi i kësaj gjykate që nga krijimi. As nga reforma. GJK nuk bën ndonjë rol ndryshe nga GJK e vendeve të tjera. Nuk ka logjikë të përafrojë ngarkesën e punës së kësaj gjykate me ngarkesën e GJL dhe SPAK. Të mendosh pastaj se gjyqtarët kushtetuese me prokurorët e SPAK është lajthitje. Do të ishte mungesë vlerësimi për punën e SPAK, në punën ndaj krimit dhe korrupsionit’, u shpreh Fatmir Xhafaj.