Ka nisur me debate dhe përplasje seanca plenare e cila po zhvillohet ditën e sotme, pasi Kuvendi e zhvendosi nga dita e enjte që mbahet gjithmonë.
Seanca drejtohet nga Ermonela Felaj, pasi kryetarja Lindita Nikolla mungon sepse ndodhet në Kosovë për 25-vjetorin e çlirimit.
Fjalën e ka nisur Tritan Shehu i cili i ka kërkuar Felajt të përfshijë Sali Berishën si anëtar të grupit parlamentar të PD-së.
‘Unë mendova se sot do të korrigjonit gabimin fatal, të jo vetëm izolimit dhe burgosjes politike të Sali Berishës dhe mos vendosjes së tij si anëtar i PD-së. Kështu duhet të niste seanca, duke bërë një reflektim se ku të çon shkelja e rregullores. Ato na mbrojnë neve. Kërkojmë menjëherë të rivendosë SPAK këtë të drejtë të madhe. Berisha është anëtar i grupit të PD, korrigjojeni.’- tha Shehu.
Por nënkryetarja Felaj u përgjigj se grupet nuk i përcakton Kuvendi, por partia.
Menjëherë më pas e mori fjalën Gazment Bardhi i cili kritikoi zhvendosjen e seancës plenare për ditën e sotme dhe tha se ky ndërrim është bërë për arsye banale.
“E zhvendosët seancën plenare pa u konsultuar. Po e trajtoni Kuvendin si dyqanin tuaj personal”, u shpreh Bardhi.
Pas tij reagoi edhe deputetja Albana Vokshi e cila tha se është e turpshme që Berishës nuk i lexohet as emri.