Hunter Biden, djali i presidenti të SHBA-ve është shpallur fajtor për të tre akuzat për krime që lidhen me blerjen dhe posedimin e tij të një arme ndërsa ai ishte i varur nga kokaina, shkruan Cbsnews.
Gjykata dëgjoi disa dëshmi për luftën e tij me drogën nga disa prej grave në jetën e Hunter Biden.
Prokuroria thirri ish-gruan e tij Kathleen Buhle, ish-të dashurën Zoe Kestan dhe Hallie Biden, e veja e vëllait të tij Beau Biden, me të cilin Hunter Biden ishte i përfshirë në një romancë gjatë periudhës kohore që ai zotëronte armën e zjarrit.
Ishte Hallie Biden ajo që zbuloi armën në kamionin e tij. Ajo dëshmoi se Hunter Biden po përdorte drogë në tetor 2018 kur bleu armën dhe prokurorët treguan tekste që thoshin se ai “po flinte në makinë duke tymosur”.
Naomi Biden, e thirrur nga mbrojtja, dëshmoi se babai i saj “dukej shkëlqyeshëm” në fund të tetorit 2018 dhe ajo nuk vuri re asnjë pajisje droge kur mori hua kamionin e tij.
Por ajo tha gjithashtu se e dinte se babai i saj “po luftonte me varësinë”, duke i thënë gjykatës se “pasi xhaxhai im (Beau Biden) vdiq, gjërat u përkeqësuan”.
Ajo tha se Hunter Biden nuk përdori kurrë drogë ilegale para saj.
Hunter Biden akuzohet për blerje dhe posedim të paligjshëm të një arme ndërsa ishte i varur nga kokaina. Ligji federal ndalon përdoruesit e drograve të paligjshme të posedojnë armë zjarri.
Prokurorët pretendojnë se djali i presidentit gënjeu për varësinë e tij ndaj lëndëve narkotike në një formular të Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve kur bleu një revolver, ngarkues shpejtësie dhe municion më 12 tetor 2018, nga StarQuest Shooters and Survival Supply, një dyqan armësh në Wilmington.