Lefter Alla fajtor, Apeli lë në fuqi vendimin me 3 vite burg për ish kryebashkiakun e Bulqizës

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me tre vite burg ish kryebashkiaku I Bulqizës, Lefter Alla.

Lefter Alla u shpall fajtor për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Lefter Alla u dënua më 28 dhjetor nga Gjykata e Posaçme me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfundimisht do të vuajë 2 vite heqje lirie.

Ish-kryebashkiaku socialist ankimoi vendimin, por Apeli i GJKKO-së la në fuqi dënimin ndaj tij.

Dënimi për ish nënkryetaren Enkeleda Lleshi u konvertua në shërbim prove.

Lirim me kusht përfituan katër punonjës të bashkisë, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Gjithashtu biznesmenët Aqif Konesha dhe Rasim Daci, si dhe punonjës të kompanisë, u dënuan nga gjykata për falsifikim dokumentesh me nga 1.6 deri në 1.9 vite burg.

Me urdhër të SPAK, Lefter Alla  i cili u arrestua me 15 Mars të një viti më parë akuzohej se ka shpërdoruar detyrën në lidhje më një tender me vlerë 3 mln euro. Ai dyshohet se në bashkëpunim me ish zyrtarët e bashkisë favorizoi  dy kompani gjatë procedurës së prokurimit publik me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila ishte në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Konesha.

Kompanitë që dolën fituese të tenderit ishin ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’.

Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për uijësjellësin realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi i rrjetit të furnizimit dhe rrjetit shpërndarës, Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor.

Kompanitë që dolën fituese të tenderit kanë si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i ‘BE-IS shpk’, është Kastriot Ibrahimaj.