Makineria e inerteve ndot ambientin në nisje të sezonit turistik, ja çfarë po ndodh pranë tunelit të Llogorasë

Sezoni turistik ka nisur dhe jugu i Shqipërisë mbetet një nga destinacionet më të lakmuara për pushime verore. Por ndërsa pritet që në fund të muajit të inagurohet hapja e tunelit të shumëpritur të Llogorasë, një video denoncuese që ka ardhur pranë redaksisë së Media Ditarit tregon se çfarë po ndodh aty pranë.

Nga rruga kryesore Dukat-Llogora (para se të shkosh tek tuneli) në video shihet një makineri që nxjerr tym dhe ndot zonën.

Ditar ka mësuar se aty është është pika e përpunimit të inerteve të Firmës Gjoka, firma që po kryen punimet e tunelit.

Ndërkohë që ndërtimet infrastrukturore janë të vlefshme për zhvillimin e një rajoni, kjo nuk mund të lejojë ndotjen e mjedisit në kurriz të natyrës dhe shëndetit të njerëzve.

Përveç kësaj, turistët që kalojnë aty përballen sigurisht me këtë pamje aspak favorizuese, në një kohë që ende nuk ka nisur mirë sezoni veror.

Tuneli i Llogorasë sipas qeverisë do të hapet më 30 qershor dhe pritet që rruga e kalimit në Rivierën shqiptare të shkurtohet me 25-30 minuta.