Është gjetur trupi i pajetë i 31 vjeçarit Eraldo Nevruzi, i cili u ekzekutua me armë zjarri nga pronari Gerald Shehu.
Ngjarja ndodhi në hotelin “Greccia” në zonën e Dhërmiut, ku i riu punonte si recepsionist.
Mësohet se trupi i pajetë u gjet në një gurore në fshatin Vuno. Sa i takon autorit ai u arrestua pasditen e djeshme në Korfuz, në tentativë për tu larguar drejt Anglisë, aty ku jetonte prej disa vite.
Ndërkohë në pranga ranë edhe dy punonjës të hotelit, Daniel Qose dhe David Larti, të cilët kanë ndihmuar Shehun pas krimit të rëndë.
Sakaq, nga këqyrja e banesës ku qëndronte shtetasi Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.
Ende nuk dihen motivet e ngjarjes ndërsa janë dy pista ku po hetohet.
E para, për një konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy, viktima dhe autori jetonin e punonin.