Me 10 vota pro, Mirela Bogdani është zgjedhur kryetarja e re e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Bogdani ishte kandidatja e vetme në garë për të marrë drejtimin e KLP-së, pas vendimit të KPA për përjashtimin nga sistemi i drejtësisë të Alfred Ballës, që mbante më herët këtë post.
Alfred Balla, u shkarkua para pak ditësh si kryetar i KLP-së.
Ndërkohë Mirela Bogdani është zgjedhur si anëtare e KLP-së në vitin 2022 nga trupa e pedagogëve të drejtësisë.
Profili i Mirela Bogdanit:
Prof. Assoc. Dr. Mirela Bogdani ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universitetit të Tiranës në vitin 2000 dhe më pas ka ndjekur të gjitha programet e kualifikimit akademik pranë këtij institucioni. Ky formim përfshin programin e Masterit Shkencor në të Drejtë Publike (2003), Masterin Profesional të në Drejtë Biznesi (2009), Doktoraturën në fushën e administrimit të zgjedhjeve (2011) dhe titullin Profesor i Associuar (2013). Formimi akademik përfshin gjithshtu studime të thelluara pasuniversitare dhe specializime në fushat e arbitrazhit ndërkombëtar tregtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën e investimeve publike në Universitetin e Queen Marry, Qendra për Arbitrazhin Ndërkombëtar Tregtar – Londër BM (2005) dhe në fushën e shkrimit & arsyetimit ligjor në American University, Washington College of Law – SHBA (2008-2009).
Gjatë karrierës profesionale, ka ushtruar detyrën e profesorit të së drejtës në Departamentin e së Drejtës Publike që nga Nëntori i vitit 2000 e në vijim, në lëndët ‘Institucionet politike dhe juridike’, ‘Shkrimi dhe Arsyetimi Ligjor, si dhe ‘Politika e Jashtme e BE’, në programet Bachelor, Master, programin e doktoraturës, dhe aktualisht në programin e integruar Master i Shkencave në Drejtësi dhe Master Ekzekutiv. Nga viti 2019-2022 ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Komisionit të Përhershëm për Dhënien e Gradës Shkencore ‘Doktor’ në Fakultetin e Drejtësië, dhe nga viti 2020-2022 anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.
Nga viti 2012 e në vijim është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës në Programin e Trajnimit Fillestar në lëndën Klinika Ligjore, si mentore (specialiste) shkencore, që së bashku me grupin e mentorëve drejtojnë magjistratët në hartimin e Memorandumeve Ligjore (opinioneve ligjore) pro bono për institucionet e larta të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykatat Administrative, etj., për çështje që ata kanë interes në punën e tyre të përditshme, duke pasqyruar kërkimin ligjor më profesional të thelluar në praktikën kombëtare, si dhe standardet, praktikat dhe zhvillimet më të fundit ndërkombëtare. Këto Memorandume u dërgohen institucioneve përkatëse dhe botohen në Revistën ‘Jeta Juridike’ e Shkollës së Magjistraturës që aksesohen më pas nga të gjithë profesionistët e së drejtës.
Nga viti 2012 e në vijim, është angazhuar në Programin e Trajnimit Vazhdues në trajnime që lidhen me Shkrimin dhe Arsyetimin e Vendimeve Gjyqësore, në Eficencën e Drejtësisë – kryesisht e lidhur kjo me mekanizmat e CEPEJ për cilësinë e drejtësisë dhe menaxhimin e kohës gjyqësore dhe Lirinë e Shprehjes. Në eksperincën profesionale, listohen gjithashtu angazhime në projekte të asistencës ndërkombëtare të donatorëve si USAID, Këshilli i Evropës, BE, OSCE, etj., që lidhen me reformimin e sistemit gjyqësor, rritjen e efiçencës, transparencës dhe përgjegjshmërisë së tij, me shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe mediave, çështjet antikorrupsion, draftim legjislacioni, etj., shoqëruar me botimet dhe publikimet përkatëse.
Që nga viti 2012 e në vijim është pika e kontaktit për Programin HELP të Këshillit të Evropës – Human Rights Education for Legal Professionals/Edukimi Ligjor I Profesionistëve të së Drejtës dhe nga viti 2021 anëtare e Bordit Këshillimor të HELP me një mandat 2 vjeçar.