Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas videos së Edi Ramës, i cili iu drejtua opinionit publik me disa fjalë pas investigimit të televizionit italian RAI3. Ai tha se gazetarët italianë ishin habitur nga kurajo e tij për t’u ballafaquar, por me modesti u shpreh se kjo ishte vetëm krenari për emrin shqiptar.
Mirëpo në reagimin e tij, Bardhi shprehet se investigimi i medias italiane përqendrohet vetëm te Edi Rama dhe mafiozët e tij, duke theksuar se kjo nuk ka të bëjë me imazhin e Shqipërisë.
Bardhi shprehet se “vetëm një mafioz mund të marrë guximin që të mbrojë krimin e organizuar dhe të sulmojë median! Sjelljen e ka të parashikueshme si gjithmonë në situata të njëjta: I ikim të vërtetës me fjalë boshe, me slogane patriotizmi të rreme, duke u fshehur pas shqiptarëve dhe Shqipërisë, me “atdhedashuri” që bashkëndanë ngushtësisht me eksponentët me të rrezikshëm të krimit të organizuar, që ky dhe qeverisja e tij ia bënë Shqipërinë parajsën personale të tyre.”
Ai vazhdon duke e përcaktuar qartë: “Investigimi i mediave ndërkombëtare ka të bëjë vetëm me ty dhe mafiozët e tu, aspak me imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Imazhi i Olsit dhe Olsave të tu, nuk është imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve.”
Bardhi thekson se imazhi i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve është ai i qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët nuk janë përfshirë në trafik droge dhe nuk pasurohen përmes korrupsionit, por punojnë me ndershmëri, pavarësisht sfidave të krijuara nga qeverisja e Ramës. Ai falenderon gazetarinë investigative të RAI 3 për punën e tyre të vyer në ekspozimin e së vërtetës.