Nis protesta e 10-të para Bashkisë së Tiranës, protestuesit sjellin me vete goma të vjetra. Çfarë pritet të ndodhë?

Po mbahet para Bashkisë së Tiranës protesta e 10-të e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Forca të shumta policie janë mbledhur para institucionit ku po kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj pas skandalit me 5 Drejtorët. Protestuesit kanë vendosur para bashkisë edhe disa goma të vjetra. Nuk dihet ende plani i tyre nëse i kanë marrë për t’u vendosur flakën apo për arsye tjetër.

Kujtojmë se opozita ka paralajmëruar një protestë para Kuvendit ditën e enjte pas publikimit të dokumentarit investigues në RAI 3, ku hidheshin dyshimet se në vendin tonë bandat e krimit dhe drogës pastrojnë para në ndërtime.

Policia njoftoi më herët edhe planin e masave për devijimin e trafikut:

Policia e Shtetit ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë, pas paralajmërimit të opozitës për protestë të martën ora 10:00 para Bashkisë së Tiranës.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.

Për këtë arsye, qytetrët lejohen të përdorin rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë, punonjësve të mediave dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.

Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.