“Ndërmjetës i kryeministrit me mafian!” Kush është Ergys Agasi që akuzon Ahmetaj, njeriu i Ilir Metës që kaloi me pushtetin e Ramës

Ergys Agasi, një personazh jo shumë i njohur për shqiptarët, është bërë nga dje një nga personat më të komentuar, për shkak të akuzës së bërë nga ish-zvkryeministri Arben Ahmetaj.

Ky i fundit, në një drekë mes miqsh, e cilësonte Ergys Agasin si një nga ndërmjetësit e kryeministrit Rama me mafian dhe trafikantët e drogës. Një akuzë shumë e rëndë, teksa edhe vetë Rama iu shmang pyetjes së gazetarit italian, duke thënë që s’mund të flasë për persona që nuk ishin të pranishëm.

Por kush është Ergys Agasi?

Ergys Agasi është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, ky i fundit ish-Sekretari i PS në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Pavarësisht se i ati ishte socialist, në skenën politike Ergys Agasi u fut nga LSI e drejtuar nga Ilir Meta.

Ai mori postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit, në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, atëherë një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, ndërsa sot në burg me dy dënime nga GJKKO për aferën e inceneratorëve.

Gjatë kohës që ishte në krye të Inspektoriatit të Mjedisit, Agasi duket se ka krijuar lidhje të forta miqësie me Alqi Bllakon, pasi me babanë e ish-deputetit socialist ka edhe një kompani, “EA LOGISTOCS”, me objekt transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave mallrave.

Agasi dha dorëheqjen nga posti në shtator të vitit 2017, kur koalicioni mes PS-së dhe LSI-së ishte prishur. Por, e ardhmja e tij nuk do të ishte më pranë Ilir Metës, pasi ai do të rikthehej sërish në Partinë Socialiste.

Deklarata e Ahmetaj nuk është e para akuzë që i bëhet Ergys Agasit, pasi më herët ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të tij. Sipas Berishës, Ergys Agasi është njeriu që drejton bandat e Durrësit për llogari të Edi Ramës.

“Miq, prej kohësh në një seri denoncimesh, qytetarët dixhital informojnë se Ergys Agasi është njeriu që drejton bandat e Durrësit, Shkozetit, Shijakut, por edhe të zonave përreth, kontrollon portin, doganat, cigaret, por edhe të tjera dhe de facto është inspektori i përgjithshëm dhe më shumë se kaq i SHIK-ut megjithë klerencën e tij të zezë”, shkruante Berisha.

Tashmë është në dorën e SPAK nëse do t’i cilësojnë të besueshme deklaratat e Ahmetajt dhe do të nisin hetimet, apo akuza e ish-kryeministrit nuk do të merren parasysh, pavarësisht se janë deklarata që implikojnë drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.