Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, ka folur sot pas kryeministrit Edi Rama në Kuvend, ku po diskutohet projektrezoluta e PS për anti-korrupsionin.
Bardhi tha se Edi Rama propozon rezolutë për të luftuar korrupsionin, por veprimet e tij nuk përputhen me ato çfarë ai thotë. Sipas Bardhit, Rama ka patur 11 vite kohë të tregonte të paktën një akt që të tregonte se ka vullnet për të luftuar korrupsionin, dhe se këtë projektligj e ka thjesht për PR.
Kreu I grupit të PD theksoi se Rama në këto vite ka drejtuar një qeveri korruptive, me nepotizëm dhe shpërdorim të fondeve publike.
Pjesë nga fjala e Bardhit:
“Ai gjithmonë flet me vete. Zotërote na the edhe që Arben Noka është deputet dhe përfaqësues i qytetarëve por në fakt doli fiks siç kishte thënë opozita që ishte drejtues i një grupi të strukturuar kriminal, që ditën votonte me ty ligjet e reformës në drejtësi dhe natën porosiste vrasje të kolegëve të vet deputetë, familjarëve të tyre apo qytetarëve që ti ia kishe vënë mbi kokë për t’I përfaqësuar.
E vetmja gjë positive që mund të vlerësoj nga ky kryeministër ditën e sotme, edhe pse iu deshën më shumë se 4 mijë ditë që ta kuptojë, është pranimi prej tij se na u dashka më në fund një përpjekje e veçantë ndryshe dhe e vendosur kundër korrupsionit të kësaj qeverie.
Lufta kundër korrupsionit të pëehapur që është rrënjosur si asnjëherë më parë nën administratën e kryeministrit, duhet të trajtohet patjetër nga Kuvendi si prioritet kombëtar sepse kjo është një çështje e një rëndësie kritike për të ardhmen e Shqipërisë.
Por një nismë e tillë do të ishte e besueshme dhe serioze vetëm nëse ata që e propozojnë janë vetë seriozë dhe të gatshëm për ta luftuar korrupsionit.
Grupi Parlamentar i PD ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht luftën ndaj korrupsionit, mirëqeverisjen dhe shtetin ligjor. Jemi ne që kemi bërë 11 vite betejë për këtë, me qeverinë më të korruptuar të këtyre 34 viteve, më e korruptuara në Rajon e Europë.
· Jemi ne që kemi denoncuar me fakte aferën korruptive të inceneratorëve. Edi Rama i doli në mbrojtje.
· Jemi ne që kemi denoncuar aferën me kontratat korruptive në sektorin e shëndetësisë. Edi Rama i doli në mbrojtje.
· Jemi ne që kemi denoncuar korrupsionin në Bashkinë e Tiranës. Edi Rama i doli në mbrojtje.
· Jemi ne që kemi denoncuar korrupsionin në Policinë e Shtetit që solli kanabizimin e vendit. Edi Rama i doli në mbrojtje.
· Jemi ne që luftojmë për tolerancë zero ndaj korrupsionit zgjedhor. Edi Rama është arkitekti i tij.
· Jemi ne që luftojmë kundër qeverisjes dhe fuqizimit nga qeverisja të krimit të organizuar, si mundësia e vetme që lejon mirëqeverisjen dhe respektin ndaj shtetit ligjor. Edi Rama është arkitekti i kriminalizimit të institucioneve, duke vënë në rrezik serioz funksionimim demokratik të institucioneve publike.
Të luftosh korrupsionin nuk ka nevojë as për fjalë dhe as për rezoluta. Ka nevojë për akte, për veprime. Edi Rama kishte 11 vite kohë të na tregonte të paktën një akt, një veprim, që ka vullnet për të luftuar korrupsionin, ka vullnet për të mirëqeverisur, ka vullnet për të respektuar shtetin ligjor.
Por për fat të keq, si çdo gjë tjetër, edhe luftën ndaj korrupsionit e konsideron çështje të propagandës së ditës apo PR, e lufton me fjalë, ndërkohë që veprat i ka krejt të kundërta. Dhe për propagandë dhe fjalë, Shqipëria ka humbur 11 vite, sepse Edi Rama tjetër thotë, tjetër premton, dhe komplet tjetër gjë bën.
Gjatë 11 viteve të fundit, qeveria e Edi Ramës ka demonstruar vazhdimisht se nuk është ajo fanar i përparimit dhe transparencës që pretendon të jetë, por përkundrazi një regjim që frymëzon dhe përjetëson korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë. Prandaj ndërsa Edi Rama propozon rezolutë për të luftuar korrupsionin, ne duhet të shqyrtojmë me kujdes rekordin e tij dhe të pyesim nëse qëllimet e tij përputhen me veprimet dhe politikat që kanë karakterizuar mandatin e tij.
Që nga marrja e detyrës në vitin 2013, Rama ka drejtuar një qeveri që është akuzuar vazhdimisht për korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim të fondeve publike. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International e rendit Shqipërinë vazhdimisht ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Pavarësisht kësaj, qeveria e Ramës ka bërë pak për të adresuar këto shqetësime, shpesh duke ndërmarrë hapa që përkeqësojnë, në vend që të zbusin problemin.
Administrata e Ramës ka qenë gjithashtu e mbushur me skandale që përfshijnë PPP dhe koncesione qeveritare. Këto marrëveshje, shpesh të mbuluara me “Sekret”, janë marrëveshje me mungesë transparence dhe për përfitimin e një rrethi të ngushtë biznesesh me lidhje të ngushta me qeverinë.