Vendi më i “lumtur” në botë dhe përrallat e tjera të komunizmit shqiptar

Nga Annalisa De Simone “Linkiesta”

Toka e Shqiponjave është vendi më i lumtur në botë. Përrallat e Tokës së Shqiponjave tregojnë për shtëpitë që mbijnë si gjethe, për gomerët, për mollët, për qytetet e humbura në qiellin plot yje ku jetojnë jashtëtokësorët.

Anita Likmeta, e lindur në Shqipëri gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, bëri debutimin e saj me romanin “Përrallat e komunizmit” (Marsilio), në të cilin ajo thur fijet e së shkuarës së saj për të vënë në perspektivë të tashmen tonë.

“I ftohti jashtë është i hidhur. Një i ftohtë zemërak. Fuçitë e vendosura në qoshet e shtëpisë janë plot me shiun që ka rënë fort prej javësh”. Në qytetin e protagonistes së romanit, në brendësi të Shqipërisë, uji nuk del nga rubineti i çezmave. Ndaj njerëzit lahen duke përdorur një sapllake dhe ujin e grumbulluar nga shiu.

Në qytetin e protagonistes është viti 1996, dhe ajo është ende fëmijë. Dritaret nuk kanë xhama, por një copë plasmasi që përplaset me zhurmë nga era. Jemi në një nga fshatrat e prefekturës së Durrësit, ku drita nuk vjen nga llambat elektrike, por nga një gjenerator benzine që gjyshi i Arit e ndez me raste.

Prej andej ajo shkon në Perëndim, ku sheh sundimin e ligjit, por edhe defektet që vazhdojnë brenda atij që është sistemi më kontradiktor dhe në të njëjtën kohë më pak i padrejtë. Një liri që të jepet që nga lindja. Në Shqipëri, dominoi për shumë kohë përralla e komunizmit.

Demoni Perëndim stigmatizohej në rrëfimet popullore. Një Bibël laike e një besimi të bazuar tek frika, imponimi dhe ndëshkimi dhe ilustruar me buzëqeshjen shpirtmirë të Majk Bonxhornos dhe batutën e tij të famshme në çdo emision të mbrëmjes në televizionin  ”Alegria!” (Le të gëzohemi).

Morali i trillimeve që rrëfeheshin në fillim të një sistemi që refuzonte Perëndimin ishte i thjeshtë:”Nëse do të dëgjosh fjalën “Alegria”, dhe nuk do të tregohesh i gatshëm të kthesh menjëherë kokën në anën tjetër, të mbyllësh veshët dhe të ulësh sytë, ti dhe familja jote do të jeni të mallkuar për një mijë breza”.

Është e vështirë të vendosësh, nëse ndjenja që del më së shumti në sipërfaqe nga historia e protagonistes së vogël, e rrëfyer nga Likmeta në vetën e parë, dhe falë pjesëve narrative të zhveshura nga të gjitha gjërat, është frika apo zhgënjimi nga padrejtësia.

Gjasat për ndryshim janë zero. Makthi se diçka do të shkojë keq, dhe pa asnjë paralajmërim, përshkojnë çdo faqe të këtij libri. “E vërteta është se nëse nëna ime do të ishte këtu, ndoshta do të më tregonte një përrallë”. Nëna e Arit, e cila mbeti shtatzënë shumë e vogël, u detyrua ta linte vajzën të rritej tek gjyshërit, pasi i duhej të punonte.

Rrëfimet imagjinative të fakteve legjendare, përrallat, që janë trashëguar nga të tjerët apo që shpiken, janë pjesë e horizontit të nostalgjisë, e pritjes së dhimbshme të një nëne që hipi në anije bashkë me të tjerët, por që një ditë do të rikthehet tek vajza e saj, dhe në vendin e indoktrinimit, mistifikimit të realitetit të gënjeshtërt që propagandon Partia.

“Shihni shokun Tahir! Partia kishte thënë:Merrni shembull nga ai që ka 8 fëmijë, por jeton gjithsesi në bollëk, sepse e njeh arsyetimin e Partisë. Ata që njohin arsyen e Partisë kanë të korra të bollshme dhe dhi që u japin qumësht. Kush e njeh arsyetimin e Partisë ka gjithmonë vezë në kotec dhe miell për të bërë bukë”.

Në kontrast me të, realiteti që rrëfen Likmeta vjen duke u kompozuar në një sërë skenash të kundërta:gra të drobitura që rrokin shatat dhe vazhdojnë të punojnë në arë, të rinj që zhduken në mënyrë misterioze, të moshuar që shtrëngojnë dhëmbët dhe e zhytin me vështirësi lopatën në tokë.

Kjo deri në ditën kur historia të nisë të ndryshojë drejtim dhe të çlirohet Berlini:është ‘kënga e mjellmës’ së regjimeve komuniste lindore. Duke pasur parasysh censurën, në vendin e Shqiponjave, më i ‘lumturi’ në botë, gazetat nuk flasin për atë që po diskuton pjesa tjetër e botës.

Por tani e tutje nuk duhet shumë që jeta e Arit të kthehet përmbys. Prandaj ardhja e saj në Itali, shoqërohet me refuzimin për të ndjerë nostalgji për atë që ka lënë pas:”Nostalgjia është për njerëzit që nuk kanë zemër dhe që do të donin ta kishin një të tillë”.

Në dallim nga imazhet bardh e zi që shohim deri në këtë pikë, nisin të shfaqen ngjyrat e Milanos, xhamat në dritare, iPhone, aplikacioni Siri, këngëtarja Lana Del Rey, një banjë e madhe sa një dhoma ku dikur Ari ulej dhe hante drekën, një shtëpi ku mbretëron gjithmonë rendi dhe pastërtia, dhe më pas Twitter, Instagram, Facebook, Linkedin, një dush dhe madje edhe vaskë.

“Nuk e di ku e kam dëgjuar, nuk e mbaj mend:Nëse të gjithë do ta çonin kryqin e vet të dhimbjeve në shesh, nëse të gjithë kryqet do të bëheshin një mal, në fund secili do të shpagohej”. Është e vërtetë që secili ka dhimbjen e tij, por edhe përrallat e veta për ta lehtësuar atë.

Dhe është e natyrshme që gjithsecili ka një sasi të ndryshme dhimbjeje nga të tjerët. Prandaj ka një vështrim të kufizuar mbi botën. Por ajo që Anita Likmeta nxjerr në pah përmes syve naivë të Arit të vogël, dhe syve të kthjellët të gruas që do të mësojë të bëhet, është se si përtej horizontit të saj të pritshmërive ka një tablo më të madhe, objektive, universale dhe historike, një kontekst që nuk mund të relativizohet.

Shpeshherë ne ankohemi për Perëndimin, pasi na lejohet, sepse është e drejta jonë. Por për të gjetur një matës që ndryshon në bazë të dallimeve, mjafton të zgjerojmë pak këndvështrimin tonë. Dhe atëherë edhe akti i thjeshtë i hipjes në një taksi për t’u kthyer në shtëpi, në zemër të Milanos, ku ka aq shumë drita sa që nata duket si ditë, në partiturën e këtij romani plot hir dhe pa asnjë teprim, pushon së qeni një nga gjestet e shumta. Ai nuk është më një gjest dosido, por shndërrohet në përmbushjen heroike të shëmbëlltyrës.