Nga Sean Rayment “The Spectator”
Edhe përpara se Teherani të shpallte zyrtarisht vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi, nisën me shpejtësi të qarkullonin teoritë e konspiracionit mbi përgjegjësit e aksidentit. A mos prapa ishte Mossadi izraelit, organizata që Irani pëlqen ta fajësojë për gati çdo gjëmë që i ndodh Republikës Islamike?
A po ishte CIA, e njëjta organizatë që ngjiti Shahun në pushtet përmes një grushti shteti në vitin 1953? Apo autori ishte një nga armiqtë e shumtë të brendshëm që Raisi kishte arritur të grumbullonte pas viteve të tij në pushtet? Tek e fundit, i ndjeri Raisi nuk kishte mungesë të armiqve, si brenda ashtu edhe jashtë regjimit.
Ai ishte përgjegjës për ekzekutimet masive të rreth 30.000 të burgosurve politikë – apo terroristë siç i pëlqen t’i quajë Irani – në vitin 1988. Kohët e fundit, ai ishte përgjegjës për vdekjen e shumë se 500 civilëve që u kapën, torturuan dhe u ekzekutuan për shkak të protestave mbi vdekjen e Mahsa Aminit, një kurdeje iraniane 22-vjeçare, e cila 3 ditë më herët ishte arrestuar nga policia e moralit, me dyshimin se kishte shkelur kodin e detyrueshëm të veshjes islamike në Iran.
Megjithatë në realitet, e vërteta është me gjasë më prozaike sesa kaq. Rrëzimi i helikopterit, që i mori jetën edhe Ministrit të Jashtëm të Iranit, Hosein Amir-Abdollahian, 6 pasagjerëve dhe ekuipazh, u shkaktua ndoshta nga moti i keq, gabimi i pilotit apo një defekt në motor. Duhet të theksohet se pas vitesh sanksionesh të dëmshme, siguria ajrore në Iran është shumë e dobët. Raisi, një 63-vjeçar i vijës së ashpër, ishte një figurë polarizuese në vend. Ai u ngjit në krye të vendit në vitin 2021, dhe ishte një kandidat i mundshëm për të pasuar Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei, klerikun 85-vjeçar të sëmurë, që ka fjalën e fundit mbi gjërat që ndodhin në Iran së bashku me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Tani çështja kryesore është se çfarë do të ndodhë më pas. Perëndimi, dhe veçanërisht Izraeli dhe SHBA-ja, do të vëzhgojnë me interes zhvillimet në Teheran, duke pyetur nëse vdekja e presidentit mund të kthehet në një pikë kthese vendimtare. A mundet populli të dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime të vërteta dhe një lehtësim të ndëshkimeve të ashpra ndaj grave, nëse ato nuk respektojnë një për një kodin e rreptë të veshjes?
Nuk ka asnjë dyshim se një lëvizje e tillë është duke u planifikuar tashmë, dhe se IRGC do të jetë marrë nën kontroll rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera, gati për të shuar çdo akt dhune apo demonstratë.
Gjithsesi ekziston një mundësi, edhe pse e largët, që vdekja e Raisit të përdoret si një katalizator për ndryshimin e një regjimi që po humbet terren, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. “Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, mund të zgjedhë ta cilësojë Raisin e ndjerë si përgjegjësin kryesore për mënyrën e tmerrshme në të cilën i trajtoi protestat në mbështetje të Mahsa Aminit – apo reagimet ndaj sulmeve të 7 tetorit të Hamasit në Izrael – dhe të ushtrojë presion për një marrëveshje të re bërthamore”- thotë Kethrin Perez-Shakdam, drejtore ekzekutive e Forumit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Irani është duke u përballur me probleme të brendshme të mëdha. Ekonomia e vendit është në rënie, inflacioni po shkon në 40 për qind, ndërsa paga mesatare është rreth 600 paund në muaj. Ndaj nuk është ndonjë çudi, pse një numër në rritje të rinjsh iranianë po kërkon ndryshim.
Ndërkohë, nëpërmjet përfaqësuesve të tij, Irani është i përfshirë në një konflikt rajonal që i kushton shtetit të paktën 1 miliardë dollarë në vit, dhe në fillim të këtij viti shënoi një nivel të ri të luftës gjithëpërfshirëse kundër Izraelit.
Raisi, kreu i gjyqësorit në Iran, u bë president në një lëvizje që nga Perëndimi u pa kryesisht si një braktisje e diplomacisë së moderuar nga regjimi fondamentalist. Ai u zgjodh edhe si nënkryetar i Asamblesë së Ekspertëve, organi fetar prej 88 anëtarësh, përgjegjës për zgjedhjen e Udhëheqësit të ardhshëm Suprem.
Kohët e fundit ka pasur shumë spekulime, se kush mund ta zëvendësojë Ajatollahun 85-vjeçar. Raisi ishte një nga emrat në krye të listës, së bashku me djalin e Khameneit, Ajatollah Moxhtaba Khamenei. Por tani kjo çështje ka kaluar në plan të dytë, për shkak të prioritetit më urgjent për të zgjedhur një president të ri.
Për konservatorët në pushtet, të cilët dominojnë organet e zgjedhura dhe të pazgjedhura në Iran, vazhdimësia, ruajtja e sistemit, do të kenë rëndësi mbi gjithçka tjetër. Ka pasur shprehje masive të pikëllimit midis mbështetësve të Raisit. Disa të vërteta, por shumica të shtirura.
Po ashtu, ka raportime për njerëz që hedhin fishekzjarre dhe festojnë për vdekjen e tij. Funerali shtetëror që po organizohet, do të jetë një moment ku të fuqishmit projektojnë jo vetëm pikëllimin, por edhe forcën dhe bashkimin. Regjimi e di se janë duke i parë kundërshtarët e tyre, brenda dhe jashtë vendit.
Zgjedhjet presidenciale që do të mbahen së shpejti, ka të ngjarë të shkaktojnë një garë për poste midis kampeve konservatore konkurruese . Jo vetëm për të gjetur një president të ri, por edhe për të përgatitur terrenin për tranzicionin e mundshëm për postin e lartë që ka më shumë rëndësi.
Cilido që do të fitojë, do të jetë një shenjë se ku e sheh Irani të ardhmen e tij. Një pasardhës më i moderuar, do të sugjeronte se Teherani do të jetë më i hapur ndaj uljes së tensioneve me Perëndimin, dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara. Por një vazhdim i status quo-së, që në këtë fazë duket të jetë edhe opsioni më i mundshëm, do të sinjalizonte se Irani e sheh veten në një luftë të përhershme në hije me Perëndimin.
Shënim:Sean Rayment, ish-kapiten i ushtrisë britanike në Regjimentin e Parashutistëve. Si korrespondent ka raportuar mbi luftërat në Ballkan, Irak, Afganistan, Gjirin Persik dhe Afrikë.