Arrestohet në Dubai Dar Çopja, i njohur për përplasjen e bujshme me Alibejt që terrorizoi Elbasanin

Një 40 vjeçar i dënuar me 4 vite burg në Shqipëri është arrestuar në Dubai. Hajdar Bako (Çopja) rezulton i dënuar për një ngjarje në 2017 ku janë plagosur tre persona. Mirëpo ai është emër i njohur për policinë për shkak edhe të përplasjes me vëllezërit Alibej. Ai rezulton në dosjen e SPAK mbi Nuredin Dumanin dhe deklarimet e tij para prokurorëve.

“U kap në Emiratet e Bashkuara Arabe, shtetasi Hajdar Bako alias Hajdar Copja alias Hajdar Hysa, 40 vjeç, i lindur në Elbasan, pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri, ky shtetas, së bashku me 4 të tjerë, është implikuar në një konflikt, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 shtetas”, raporton policia duke theksuar s epo vijon puna për ekstradimin e tij nga Dubai në Shqipëri.

Dari i Elbasanit shfaqej si një nga porositësit për eliminimin fizik të rivalëve të tij në dosjen e Nuredin Dumanit.

Në dosjen hetimore bie në sy se grupi i Erjon Alibej alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdar Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin.

Sipas dëshmisë së dhënë para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Nuredin Dumani tregon se vetëm për “kokën”, e Arjan Spahiut, kunatit të Erjon Alibej, i është afruar një shumë prej 300 mijë euro.

Vetë Dumani, ka pranuar në SPAK se ka mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erjon Alibej dhe Hajdar Bakos.