Një teatër i vërtetë ka ndodhur për rreth 1 orë në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ku ishte thirrur në një seancë dëgjimore Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në lidhje me shqetësimet e qytetarëve për kompanitë e mikrokredive.
Që në fillim të mbledhjes, kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi u mundua që të shfajësonte Bankën e Shqipërisë, duke u shprehur se disa media kanë dhënë lajme “fake” në lidhje me problematikat e këtyre institucioneve financiare dhe zhvatjes që po u bëhet qytetarëve.
Ndoshta Shalsi iu referua lajmit që SPAK ka hapur çështje penale në lidhje me skandalin e tjetërsimit të pronave të qytetarëve nga këto kompani, të cilat për shuma të vogla kresish, u marrin pronat shqiptarëve, në bashkëpunim edhe me përmbaruesë privatë.
SPAK është duke hetuar edhe rolin e guvernatorit Gent Sejko, i cili po hetohet për “shpërdorim detyre”.
Pasi Sejko mbajti fjalën e tij, disa prej deputetëve i drejtuan pyetje, ndërkohë që guvernatori filloi t’u përgjigjej. Por në një moment, gjatë përgjigjeve pati edhe pyrtje të tjera nga deputeti Agron Shehaj, në lidhje me normat e larta të interesit që këto kompani kanë dhe zhvatjes që po u bëhet qytetarëve.
Por kjo duket se ishte “pyetja e gabuar”, që ka detyruar Eduard Shalsin të ndërhyjë dhe të kërcënojë Shehajn se do ta përjashtonte. Pas ndërhyrjes së Shalsit, ka patur edhe një debat të ashpër mes tij dhe Shehajt, çfarë ka sjellë edhe ndërprerjen e mbledhjes për disa minuta.