Autobusa me shqiptarë drejt Greqisë? Rama reagon për herë të parë: Po lëndojnë dinjitetin e atyre që ishin atje

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në lidhje me akuzat se takimi i tij me emigrantët në Greqi, ishte i mbushur me punonjës të administratës publike nga Shqipëria.

Në një intervistë pas përfundimit të Samitit Rajonal të Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Malin e Zi, Rama u shpreh se akuzat e hedhura kanë lënduar dinjitetin dhe sedrën e njerëzve që kishin shkuar në atë takim.

Sipas tij, në stadiumin Galatsi u mblodhën edhe njerëz që janë me bindje të kundërta politike dhe që nuk kanë votuar asnjëherë Partinë Socialiste.

“E vetmja gjë që më vjen keq është gjithë përpjekja absurde për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë çdo lloj marrëzie, por jo të vërtetën për arsye politike, atë valle kuq e zi do të thosha, në zemër të Athinës, si një takim të bërë me autobus të administratës dhe më vjen keq sepse fyhet, lëndohet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e të gjithë atyre që kishin ardhur atje dhe që ishin jo vetëm njerëz shqiptarë që mund të kishin një lidhje simpatie politike me forcën që qeveris, por edhe njerëz që as nuk na kanë votuar ndonjëherë, madje që ishin të njohur si njerëz që i përkisnin palëve të tjera politike dhe erdhën të gjithë aty si shqiptarë siç ishte krejt e natyrshme dhe krejt e kuptueshme që të vinin për të gjitha arsyet që dihen dhe që lidhen me historinë e shqiptarëve të Greqisë.

Në këtë aspekt, është e vetmja gjë për të cilën më vjen keq ndërsa për të gjitha gjërat e tjera ai takim do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time si një moment i jashtëzakonshëm shqiptarie dhe besoj që është dhe një moment psikologjik kthese në shumë aspekte, jo vetëm në raportin e shqiptarëve të Greqisë me Greqinë edhe në raportin e Shqipërisë me Greqinë, por dhe në raportin e botës shqiptare me Europën”, tha Rama.