Kuvendi pranon pas shumë kohësh kërkesën e Tritan Shehut për interpelancë, por Rama ia delegon detyrën Spiropalit

Pas shumë kërkesash nga deputeti Tritan Shehu për një interpelancë me kryeministrin Edi Rama për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë, Kuvendi ka pranuar dhe e ka futur në rendin e ditës për seancën e nesërme plenare.

Por Shehu nuk do të ketë mundësinë ta bëjë këtë interpelancë me kryeministrin, pasi ky i fundit nuk do të jetë nesër në Kuvend, pasi do të udhëtojë drejt Malit të Zi.

Ai ia ka deleguar kompetencat Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalit. Por nuk dihet nëse Tritan Shehu do të pranojë ta bëjë këtë interpelancë me Spiropalin, pasi kërkesa e tij ka qenë kryeministri Rama.

Kjo nuk është interpelanca e parë që Rama i shmanget. Më herët, ai ka refuzuar interpelancat e kërkuara nga Partia Demokratike për akuzat për Olsi Ramën dhe reportazhin e RAI 3 për Shqipërinë.